Bullgaria ka bllokuar Maqedoninë e Veriut në procesin e negociatave me BE duke mos miratuar korrnizën negociuese e cila i hap rrugë çeljes së negociatave.
Ministria e Jashtme e Bullgarisë njofton se gjatë takimit të sotëm të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme në Luksemburg i ka qëndruar vendimit të një viti më parë për të mos çuar përpara negociatat me Shkupin pa u plotësuar më parë kërkesat e saj.
Bullgaria kërkon që në korrnizën negociuese të Maqedonisë së Veriut të përfshihen si kushte edhe kërkesat e saj:
“Tërheqjen e Republikës së Maqedonisë së Veriut nga pretendimet territoriale, të pakicave dhe historike ndaj Bullgarisë, ndryshimin e mbishkrimeve / monumenteve që nxisin urrejtjen ndaj Bullgarisë në Republikën e Maqedonisë Veriore, aktivizimin e një procesi të rehabilitimit të viktimave të Jugosllavisë që janë shtypur gjatë komunizmit për shkak të prejardhjes bullgare”
Nga ana tjetër Bullgari ka mbështetur miratimin e korrnizës negociuese me Shqipërinë çka do t’i hapte rrugën vendit tonë për të marrë pjesë në Konferencën e Parë Ndërqeveritare.
Megjithatë, shumica e vendeve të BE janë kundër ndarjes së Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimit.
Bllokimi i Maqedonisë nga Bullgaria mund të sjellë shtyrjen e çeljes së negociatave edhe me Shqipërinë.
Vendimi i Këshillit të ministrave të Jashtëm të vendeve të BE pritet të shpallet më vonë në një konferencë për shtyp.