
Ministria e Arsimit ka pezulluar mësimin në Shkollën e Mesme në Shupenzë të Bulqizës për të paktën tre ditë. Arsyeja për këtë vendim është sistemi jofunksional i kaldajës së shkollës, nga tymi i së cilës tre ditë më parë u asfiksuan 60 nxënës.
Ministrja e Arsimit Nikolla tha se mësimi në këtë shkollë do të fillojë vetëm pas ritestimit të kaldajës. Ajo kërkoi gjithashtu ngritjen e një grupi inspektimi nga drejtuesit rajonalë të arsimit, në bashkëpunim me pushtetin lokal, për verifikimin e sistemit të kaldajave në shkolla.
Nga nxënësit e shtruar në spital, burimet lokale bëjnë të ditur se gjendja e shumicës prej tyre është normalizuar, ndërsa një mësuese dhe një nxënës janë nisur drejt Tiranës për shkak të komplikimeve.