Qeveria parashikon 700 milionë euro më shumë të ardhura se sa parashikimi i FMN-së për vitin 2021.
Në emisionin “Me pak fjalë” u diskutua mbi parashikimet jorealiste të buxhetit që qeveria Rama ka projektuar për vitin 2021.
Në një krahasim midis shifrave të publikuara nga FMN-ja dhe qeveria për të ardhurat e vitit 2020 dhe të vitit 2021, vihen re ndryshime të mëdha:
Qeveria ka parashikuar se do të mbledhë 446 miliardë lekë për vitin 2020, kurse FMN parashikon 384 miliardë.
FMN parashikon që të ardhurat për vitin 2020 do të jenë mbi 62 miliardë lekë më pak se sa pretendon qeveria, ose 500 milionë euro më pak.
Për vitin 2021, FMN parashikon mbi 26 miliardë lekë të ardhura më pak ose afërsisht 214 milionë euro më pak se sa qeveria.
Pra, qeveria ka planifikuar për vitin 2020 dhe 2021 mbi 700 milionë euro të ardhura më shumë se sa parashikon FMN.
Madje, ajo i ka parashikuar vitet 2020 dhe 2021 si dy nga vitet më të mira në histori për të ardhurat e mbledhura në raport me PPB.
Për shembull, në vitin 2019, të ardhurat e qeverisë ishin sa 27,4 për qind e PBB-së. Për këtë bie dakord FMN me qeverinë.
Diferencat fillojnë në vitin 2020. Qeveria pretendon se në vitin 2020 të ardhurat do të rriten në 28,2 për qind të PBB-së, kurse FMN thotë do të bien në 24,5 për qind.
Për vitin 2021, qeveria thotë se të ardhurat e saj do të jenë sa 28,5 për qind e PBB-së, kurse FMN thotë sa 26,7 për qind e PBB-së.