Byroja Kombëtare e Hetimit si Intercontinental Hotel of Qerreti – Koment

Byroja Kombëtare e Hetimit si Intercontinental Hotel of Qerreti – Koment

Një ndër marifetet që përdorin sipërmarrësit, kudo në botë, për të tërhequr klientët që nuk kanë informacion të mjaftueshëm për produktet e shërbimet e tyre, është t’u vënë atyre emra pompozë, që krijojnë idenë e cilësisë dhe prestigjit.

Kjo gjë ndodh shpesh në Shqipëri, ku bombardohesh kudo me emra bombastikë e të fryrë hotelesh, restorantesh, universitetesh, firmash, etj.

Askund nuk është më e dukshme kjo gjë se në bregdetin tonë, i cili edhe pse nuk ka qoftë edhe një hotel apo infrastrukturë tjetër të cilësisë mesatare perendimore, ka qindra inter-, super- dhe grand-hotele, të Parisit, të Nju Jorkut, e të mbarë botës.

Qëllimi i tyre është të impresionojnë e të joshin klientët që kanë mungesa informacioni për cilësinë që ata ofrojnë.

Është zgjidhje efiçentë: nëse nuk ke informacion për asnjërin, kë do të zgjidhnit në Qerret të Kavajës, Intercontinental Hotel të Qerretit apo Hotel Qerretin?

I njejti marifet është përdorur në rastin e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), të porsa miratuar ngë qeveria dhe në pritje të miratimit në Kuvend. Emri i njësisë është marrë nga Byroja Federale e Hetimit, FBI-ja e famshme amerikane, e cila është ndoshta njësia më e specializuar, më e aftë dhe më efiçente e hetimit në botë.

Sipas krijuesve të saj, byroja jonë e hetimit do të hetojë për korrupsion dhe abuzim qeveritarët më të lartë të vendit, përfshi Presidentin, Kryeministrin, ministrat, deputetët e me rradhë.

Emër i madh, mision edhe më i madh! Por sikurse, kur hyn në Hotelin Intercontinental të Qerretit fillon e kupton se ai, në fakt, është një hotel i zakonshëm, pa asnjë standart hoteli perëndimor, ashtu ndjehesh edhe kur sheh funksionet dhe organizimin e byrosë sonë me emrin e madh.

BKH është një njësi e thjeshtë e policisë gjyqësore—strukturës policore që kryen hetimet. Ajo varet nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, i cili emëron stafin e saj dhe drejtorin e saj—këtë të fundit ia propozon për firmë Ministrit të Brendshëm. Hetuesit e byrosë kanë të njejtin status dhe të drejta e detyrime si çdo polic tjetër, kanë të njejtën mbrojtje si çdo polic tjetër, paguhen njësoj si çdo polic tjetër.

BKH as mund të fillojë, e as mund të kryejnë, ndonjë hetim për këdo pa vendimin dhe drejtimin e prokurorisë.

Shanset që BKH të hetojë korrupsionin e ministrave dhe politikanëve të lartë të vendit janë zero. Ajo është si hotelet intercontinentale që gjenden fshatrave të bregdetit tonë, me ujë pusi dhe jashteqitjet që derdhen pak metra me tutje në detin e bukur, që fillon e kundërmon. Edhe Byroja Kombëtare e Hetimit do të “gjuajë” ndonjë viktimë të pasofistikuar për të mbajtur veten në punë.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>