Gjykata dënoi sot me 1 vit burg ish-deputetin e Partisë Demokratike Ervin Salianji për të ashtuquajturën çështja “Babalja”. Vendimi pritet të apelohet.
BalkanWeb raportoi se gjykata vendosi gjithashtu 2 vite burg për Fredi Alizotin, 3 vite e 5 muaj për Albert Veliun dhe 6 muaj burg për gazetarin Jetmir Olldashi. Këtij të fundit dënimi iu konvertua me 100 orë punë në shërbim publik.
Të katërt akuzoheshin për kallëzim të rremë. Çështja ‘Babalaja’ kishte të bënte me akuzat për përfshirje në trafik droge të ngritura nga Alizoti, Veliu dhe Salianji ndaj vëllait e ish-Ministrit të Brendshëm Xhafaj.
Kryetari i PD-së Basha e cilësoi dënimin e ish-deputetit Salianji dhe gazetarit Olldashi “hedhje në erë të kolonave të demokracisë”.
Në një konferencë për shtyp pak pas vendimit, Zoti Basha akuzoi gjyqtarin Artan Gjermeni se është “anëtar i bandës së Lushnjës” dhe se “si ushtari i bandës së Lushnjës e kishte marrë prej kohësh vendimin politik që Edi Rama e shpalli prej ditës së parë të publikimit të skandalit Xhafaj”.
Për çështjen në fjalë mund të lexoni një përmbledhje duke klikuar këtu.