Çështja CEZ – Çfarë po ndodh mes Avokates së Shtetit dhe Komisionit Hetimor?

Çështja CEZ – Çfarë po ndodh mes Avokates së Shtetit dhe Komisionit Hetimor?

Ditët e fundit, akuzat mes Avokates së Shtetit Alma Hiçka dhe Komisionit Hetimor parlamentar për marrëveshjen mes shtetit shqiptar e kompanisë çeke CEZ kanë shkaktuar debate në media e opinion publik.

Ky komision u ngrit në prill 2016, me kërkesë të opozitës, sipas së cilës vendimi i qeverisë Rama për firmosjen e memorandumit për fillimin e zgjidhjes me mirëkuptim me kompaninë CEZ, me qëllim tërheqjen nga arbitrazhi nuk ishte në interesin e shtetit shqiptar.

Gjithashtu, Kontrolli i Lartë i Shtetit, në tetor 2015, paditi ministrin Damian Gjiknuri dhe Avokaten e Shtetit Alma Hicka, si përgjegjës për humbjen e 479 milion euro në buxhetin e shtetit përmes marrëveshjes për mbylljen e arbitrazhit me kompaninë ceke CEZ.

Që prej fillimit të punës së komisionit, mes shumicës e opozitës ka pasur përplasje, të cilat vazhdojnë ende. Më poshtë është një kronologji e zhvillimeve të këtij komisioni:

22 qershor 2016:

Kryetari i Komisonit Edmond Spaho u ankua në Konferencën e Kryetarëve se institucionet, kryesisht Kryeministria dhe Ministria e Energjitikës, nuk i kanë dhënë dokumentacionin e kërkuar. Ministrja Ermonela Felaj e shpjegoi mungesën e dokumenteve me faktin se disa prej tyre janë pjesë e hetimit dhe si të tillë nuk mund t’i jepeshin komisionit.

6 dhjetor 2016:

Ministri i Energjitikës Damian Gjiknuri deklaroi përpara komisionit hetimor se vendimi i qeverisë për të zgjidhur konfliktin me marrëveshje ishte një vendim politik, i marrë duke injoruar rekomandimin e avokatit ndërkombëtar të qeverisë.

Në këtë seancë, u bë publike dhe letra drejtuar Entela Çipës, këshilltare e ministrit Gjiknuri, shkruar më 26 nëntor 2013, ku avokati Hamid Gharavi i sygjeronte shtetit shqiptar të mos nënshkruante Memorandumit të Mirëkuptimit dhe të vazhdonte arbitrazhin.

12 dhjetor 2016:

Ministri i Energjitikës Damian Gjiknuri nuk dëshmoi në komisionin hetimor me justifikimin se nuk ndodhej në Shqipëri. Syri.net siguroi prova se Zoti Gjiknuri është kthyer në Tiranë në orën 08:06 të datës 12 dhjetor.

29 dhjetor 2016:

Kryeministri Edi Rama dëshmoi përpara komisionit hetimor. Ai deklaroi se zgjidhja e konfliktit me marrëveshje ishte zgjedhja e duhur, pasi në arbitrazh Shqipëria nuk kishte asnjë mundwsi të fitonte.

9 shkurt 2017:

Gazeta Rilindja Demokratike publikoi dokumente që vërtetonin përfshirjen e burrit të Avokatës së Shtetit Envi Hicka në mbrojtjen e kompanisë DIA kundër shtetit shqiptar. Zoti Hicka ishte përfaqësues me të drejta të plota i Josef Hejsek, administratori i CEZ. Zoti Hicka ka mbrojtur interesat e CEZ në konfliktet që ky i fundit ka pasur me tatimet e Tiranës si dhe në konflikte të tjera.

10 shkurt 2017:

Avokatja e shtetit Alma Hicka refuzoi të dëshmojë në komision. Ajo kërkoi të mos dëshmonte përpara deputetëve të PD-së, pasi pretendonte se ka konflikt interesi me ta.

Edmond Spaho, kryetar i komisionit dhe dy deputetët e tjerë demokratë Jorida Tabaku dhe Helidon Bushati mohuan të kenë konflikt interesi me Zonjën Hicka. Gjithsesi, Zonja Hicka refuzoi të përgjigjej. Në fund të seancës, Zoti Spaho tha se në seancën  e radhës do të nevojitej prania e policisë që Zonja Hicka të përgjigjet.

13 shkurt 2017:

Avokatja e Shtetit Alma Hicka kërkoi arrestimin e kreut të Komisionit Edmond Spaho. Sipas letrës, drejtuar Policisë së Tiranës nga vetë ajo, këmbëngulja e Spahos që ajo të shoqërohej me forcë për të dëshmuar përpara komisionit hetimor, nuk ka bazë ligjore dhe se është bërë për qëllime kriminale.

14 shkurt 2017:

Partia Demokratike dorëzoi në Prokurori kallëzim penal ndaj Avokates së Shtetit Alma Hicka për shpërdorim detyre. Sipas opozitës, Zonja Hicka po pengon hetimin parlamentar të CEZ-it.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>