Na ishte një herë një ministër i kulturës në një vend të moçëm të quajtur Shqipëri, i cili brenda pak kohësh në detyrë bëri diferencën përkundrejt kolegëve të vetë të asaj organizate që ky i fundit e quante “parti e prostatës”.
20 vjet më parë Shqipëria kishte për ministër kulture, Edi Ramën, i cili edhe pse i emëruar nga “tymnajat” e zyrave të Partisë Socialiste, erdhi si ventilim me ajër të freskët në një sektor qeverisës që kishte ngelur shumë kohë i pandryshuar.
Një ndër nismat më të njohura të tij si ministër kulture ka qenë propozimi i konservimi të qendrës së Tiranës duke e shpalur atë monument kulture. Kjo rezultoi në vendimin Për Shpalljen Ansambël Monument-Kulture të Aksit Kryesor dhe Qendrës Historike të Qytetit të Tiranës Nr .180, datë 13.4.2000.
Paralelisht me këtë nisëm, Rama ndërmori edhe një projekt të meremtimit të fasadave të ministrive të sheshit Skëndërbej shoqëruar edhe me sistemimin e trotuareve e ambienteve përreth tyre që u titullua “Kthim në Identitet”.
Impakti simbolik i nismës së konservimit dhe projektit të rehabilitimit ishte i shumëfishtë. Nëpërmjet tyre Rama donte të tregonte se donte të mbronte trashëgiminë e vlefshme prej tranzicionit të rrëmujshëm si dhe të rindërtonte ato që ishin shkatërruar apo lënë pas dore për një kohë tepër të gjatë.
Për më tepër nëpërmjet projektit të fasadave, Rama ndërtoi një “mini-oaz” estetik në zemër të Tiranës që dukej e rregullt dhe e pastër si të ishte një copëz Evrope. Pra ai po ua sillte shqiptarëve Evropën në shtëpi duke krijuar përshtypjen se atë që bëri me rehabilitimin dhe modernizimin e qendrës së Tiranës do ta replikonte dhe shpërhapte edhe më gjerë po t’i jepej mundësia. Në këtë mënyrë fitoi edhe zëmrat e shumë figurave të botës së artit e kulturës, aktivistë të shoqërisë civile si dhe një segmenti urban të shoqërisë të cilët e mbështetën pa kursim në karrierën e tij të mëtutjeshme politike.
Këto dy nismat e ndërmarra me qendrën e Tiranës, në një farë mënyre shërbyen si trampolinë për karrierën politike të Edi Ramës i cili nga ministër i kulturës u bë kryetar i bashkisë më të madhe e të rëndësishëm të vendit, Tiranës. Prej atëhere Rama mori një rol vendimtar në jetën politike të vendit dhe atë protagonizëm e ka pasur për dy dekada të tranzicionit duke vazhduar edhe sot.
20 vjet më pas trashëgimia kulturore e Tiranës dhe monumentet e qendrës së qytetit mbeten të njëjtit pavarësisht faktit që kryeministri Edi Rama ka ndryshuar qëndrimin për to. Vlerat monumentale të Teatrit Kombëtar janë të padiskutueshme dhe prandaj kjo ndërtesë u përfshi zyrtarisht në listën e 7 vendndodhjeve më të rrezikuara në Evropë, nga organizata prestigjioze Europa Nostra.
Për hir të së vërtetës duhet thënë se edhe projekti i arkitektit të njohur bashkëkohor Bjarke Ingels për teatrin e ri është goxha i bukur. Porse nuk ka asnjë arsye që të ndërtohet diku tjetër dhe nuk ka përse Tirana mos të ketë dy- tre a më shumë teatro.
Për shembull projekti avangardë i Ingels mund të ndërtohej në harmoni me ndërtesat e tjera që janë parashikuar buzë bulevardit të ri të Tiranës që shkon drejt Paskuqanit. E kaluara dhe e tashmja mund të bashkëjetojnë. Ne meritojmë të kemi një të ardhme për të kaluarën e Tiranës.
Çështja e ngrehinës së Teatrit Kombëtar të lë të mendosh se nuk është aspak rastësi që “think-tank”-u i partisë socialiste mban emrin e një komunisti të rëndomtë të quajtur Qemal Stafa. Ky personazh periferik veprën e tij më të rëndësishme kishte një hartim naiv bazuar në një citat të marrë nga Friedrich Schiller që thotë “E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë. Një jetë e re po lulëzon gërmadhash.”
Kjo logjikë “se e reja mund të lulëzojë vetëm në gërmadhat e së kaluarës që po përdoret sot për teatrin, nuk është gjë tjetër përveçse një trashëgimi e mentalitetit komunist. Pra një rudiment i epokës komuniste të revolucionit kulturor të ideuar prej udhëheqësit Mao dhe aplikuar me zell nga nxënësi i tij në Shqipëri Enver Hoxha.
Është një vazhdimësi e logjikës së shkatërrimit të kishave e xhamiave sepse ishin objekte kulti, të pazareve e bezistaneve sepse manifestonin elementet e ideologjisë kapitaliste të tregut apo të sarajeve të bejlerëve me motivin e zhdukjes së dallimit mes klasave sociale.
Logjika mandej foshnjarake se teatri do duhej të prishej sepse kinse është prej “tallashi” e bën këtë situatë të arrogancës së pushtetit absolut, nga tragjike në tragjikomike. Më këtë logjikë pse mos të grisim epitafin e Gllavenicës përderisa sot kemi tekstile sintetike me bollëk, pse mos të djegim ikonat e Shpatarakut të pikturuara në copëza të vjetra druri kur mund t’i zëvendësojmë me printime 3D në plastikë të qëndrueshme apo pse mos të riciklojmë në plehëra kodikun e purpurt të beratit përderisa sot kemi libra elektronikë.
Tashmë nuk ka asnjë dyshim se Tirana pa Teatrin Kombëtar do të bëhej më e varfër, më e shëmtuar e më e grabitur. Për të parashikuar atë që do të ndodhi me Tiranën nëse realizohet plani i prishjes së Teatrit Kombëtar dhe i ngritjes së kullave mbi të nuk duhet shumë fantazi. Mjafton të shikojmë qendrën historike të Durrësit ku protagonistët e “rilindjes” socialiste e kanë shkatërruar historinë e lavdishme dymijëvjeçare të njërit prej qyteteve më të njohur të mesdheut duke e varrosur nën tulla e çimento.
Argumentet përse Teatri Kombëtar duhet mbrojtur janë shumë dhe tashmë janë artikuluar me holësi e në mënyrë bindëse nga shumë zëra ekspertësh dhe figuras publike me kredibilitet të pacënueshëm. Ato nuk nuk lidhen vetëm me vlerën si trashëgimi kulturore, por edhe me përpjekjen e shoqërisë sonë për t’i dhënë fund zhvatjes së pronës publike me aprovimin e qeveritarëve. Pra ka të bëj edhe me një pjesë të Shqipërisë që reziston, që nuk nënshtrohet e që nuk toleron gjithfarë abuzimesh me pronën publike dhe shpërdorimesh me pasurinë e së kaluarës.
Prandaj edhe mbrojtja e ndërtesës së Teatrit Kombëtar, si një trashëgimi e veçantë kulturore kombëtare, solli gjithashtu edhe një ndër protestat më stoike e emblematike të historisë moderne shqiptare. Një protestë në formën e një rezistencë paqësore që përfshiu qytetarë të të gjitha sferave të jetës dhe që tejkaloi përkatësitë politike.
Në qendër të protestës kanë qenë pikërisht ato segmente të shoqërisë, ata profesionistë, ato tipologji elektorale, të cilët kanë pasur besim e shpresë tek Rama i vitit 2000. Janë ata njerëz që pavarësisht metamorfozës së Edi Ramës dhe të onturazhit të oborrit të tij në vitin 2020, besojnë akoma se Edi Rama i para 20 vjetëve ka pasur të drejtë.
Protestuesit më të zëshëm të aleancës për mbrojtjen e teatrit kanë qenë njerëz të botës së artit e kulturës, aktivistë të shoqërisë civile, përfaqësues të një segmenti urban të shoqërisë që dikur kanë qenë guri i themelit të suksesit të politikanit Rama. Me sa duket indinjata e këtij lloj elektorati opinionbërës, të zhgënjyer e indinjuar mes të tjerash paralajmëron se nga “shkëlqimi” po i afrohemi “rënies” së karrierës së protagonistit më jetëgjatë politik të tranzicionit shqiptar.