Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj nuk ka pranuar të bëjë asnjë deklaratë lidhur me çështjen Habilaj-Tahiri dhe për dyshimet për përfshirjen e ish-Ministrit të Brendshëm në trafik ndërkombëtar droge.
I pyetur nga gazetarët paraditen e sotme, Zoti Xhafaj u shpreh:
“Këto janë çështje që i përkasin drejtësisë, nuk ka pse flet Ministria dhe ministri.
Është një çështje që nuk i përket policisë së shtetit, është një çështje që i përket drejtësisë. Është iniciuar dhe vazhdohet nga drejtësia italiane.”
Reagimi i Ministrit Xhafaj vjen një ditë pas bërjes publike të provave që përfshijnë ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri në trafik ndërkombëtar droge, si mbrojtësi i Moisi Habilajt, i arrestuar mbrëmjen e të hënës në Katania të Italisë dhe dy vëllezërve të tij.
Në dosjen prej 416 faqesh të bërë publike nga policia italiane ku janë dhe përgjimet e grupit të narkotrafikut, përmenden shpeshherë jo vetëm emri i zotit Tahiri, por dhe drejtues të lartë të policisë dhe njërëz të besuar të vëllezërve Habilaj në strukturat e policisë.
Ministri Xhafaj, i cili para disa javësh bëri publike nismën e jashtëligjshme “Vettingu në Polici”, duket se tani që ka një dosje me prova në dorë dhe mbështetjen e policisë italiane, ka zgjedhur të heshtë e të mos ndërmarrë asnjë veprim për të zbardhur “mbrojtësit e Habilajve” brenda radhëve policisë.