Çështja Habilaj-Tahiri, Ministri Xhafaj sulmon prokurorinë

Çështja Habilaj-Tahiri, Ministri Xhafaj sulmon prokurorinë

Teksa Këshilli i Rregullores së Mandatit dhe Imunitetit të deputetëve do të mblidhet sot në orën 11:00 në prani të ish-ministrit Tahiri dhe Kryeprokurorit Llalla, Ministri i Brendshëm Xhafaj sulmoi publikisht prokurorinë duke deklaruar se “po përdoret politikisht”:

“Mesa shoh thjesht po duan ta përdorin. Nëse do më pyesin nga pikëpamja ligjore, ajo çfarë është shkruar nga prokurorët e krimeve të rënda dhe për aq sa unë kam lexuar nuk është një gjë që është shpreh vullnetin e ligjit, që do të thotë se jemi në rastin kur segmente apo individë të Prokurorisë po vetëpërdoren politikisht në një çështje të nxehtë.

Flas për sa unë kam parë. Nëse Prokuroria ka cështje të tjera le t’i shohim. Do të shihni prova dhe vullnete konkrete shumë shpejt.

Para se të jem ministër, unë jam një ligjvënës dhe avokat, dhe nga ky perspektivë unë jap opinionin tim. Precedentë të tillë janë të rrezikshëm për drejtësinë dhe jetën parlamentare.”

Pas deklaratave të Ministrit të Brendshëm, reagoi edhe Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, i cili tha se “nëse ministri Xhafaj nuk i ka të qarta ndryshimet ligjore, është problem i tij.”

“Po ndjekim me vëmendje çështjet e kriminalitetit të shpërndara në shumë qytete. Detyra jonë është që të hetojmë të gjitha rastet e kriminalitetit”, — shtoi kryeprokurori Llalla.

Ministri Xhafaj, i cili ka qenë hetues dhe prokuror gjatë diktaturës komuniste, gjë për të cilën ai kurrë nuk kërkoi falje viktimave të regjimit, është vetë në rrezik politik, pasi vëllai i tij Agron Xhafaj është në kërkim nga policia italiane për trafik ndërkombëtar kokaine. Për më tepër, Zoti Xhafaj është politikisht përgjegjës për Policinë e Shtetit, që po ashtu është përfshirë në skandalin Habilaj-Tahiri.

Një ditë më parë, Ministri Xhafaj deklaroi se kjo çështje nuk i përkiste drejtësisë shqiptare dhe refuzoi të bënte deklarata.

Sipas dosjes së dërguar nga Prokuroria në Parlament, ish-Ministri Tahiri,

“[…] në bashkëpunim me persona të tjerë që ushtrojnë një funksion publik në Republikën e Shqipërisë, ka arritur të qarkullojë jashtë vendit me destinacion Italinë sasi të konsiderueshme të lëndëve narkotikëve. […] Të gjitha aktivitetet kriminale u mbështetën në bashkëpunim të grupit kriminal me strukturat e Policisë së Shtetit, ku fitimet direkte monetare shkuan drejtpërsëdrejti për ish-Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>