Prokurorja Besa Nikëhasani ka apeluar vendimin e Kolegjit të Apelimit në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut (ECtHR). Ky është vendimi i dytë i institucioneve të vetingut që apelohet në GJEDNJ.
Besa Nikëhasani ishte prokurorja e parë e cila u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimeve (KPK). Ajo u shkarkua më 17 prill 2018 me vendim të KPK, dhe më 9 dhjetor u shkarkua përfundimisht nga KPA.
Apelimi i saj në Gjykatën e Strasburgut është i dyti pas atij të prokurorëve Gashi dhe Gina kundër institucioneve të vetingut në lidhje me kompetencat disiplinore të KPA-së. Të dy këto raste përveç fatit të apeluesve shkon në thelbin e reformës së drejtësisë, veçanërisht të vetingut, dhe do ketë pasoja përtej këtyre individëve.
Çështja Nikhasani u paraqit në Strasburg në janar 2019, dhe objekti i padisë është heqja e të drejtës për të apeluar vendimin e shkarkimit të dhënë nga KPA. Ndërsa çështja Gashi dhe Gina, e paraqitur që në qershor 2018, kërkon rrëzimin e vendimit të KPA-së për përjashtimin e tyre nga sistemi i drejtësisë.
Në funksion të sqarimit të rrethanave të të dy rasteve, GJEDNJ-ja u ka bërë një sërë pyetjesh palëve, përfshi qeverisë. Në procesin Gina-Gashi Gjykata e Strasburgut ka marrë edhe opinionin e palëve të treta të pavarura, të cilat i ka njohur si palë të interesuara në proces.
Nga pyetjet e shtruara nënkuptohet se GJEDNJ mund të jetë duke shqyrtuar çështjen thelbësore në lidhje me institucionet e vetingut: a janë institucionet e vetingut “gjykata të paanshme dhe të pavarura”, standard i sanksionuar në neni 6, pika 1 të Konvetës Europiane për të Drejtat e Njeriut; dhe a u është mundësua Gashit, Ginës dhe Nikëhasanit proces gjyqësor i drejtë; dhe a u respektuan të drejtat e njeriut gjatë procesit të saj.
Për vendimin e GJEDNJ-së duhet të presim të paktën edhe disa muaj për rastin Gashi-Gina dhe rreth një vit për çështjen Nikëhasani, por ato do të jenë shumë të rëndësishme për ecurinë e vetingut, i cili do të jetë ende duke e zhvilluar.
Një nga shqetësimet kryesore, që prej fillimit të vetingut, ishte pikërisht nëse institucionet e vetingut luanin rolin e një “gjykate të paanshme dhe të pavarur”. Këtë përgjigje do ta marrim me siguri, vetëm se duhet pritur edhe pak kohë.