Presidenti Meta ka mbledhur sot Këshillin e Sigurisë Kombëtare, për shkak të krizës së koronavirusit që ka sjellë rreziqe për shendetin publik, mirëqenien, ekonominë dhe sigurinë e vendit. Këshilli e zhvilloi mbledhjen online të mërkurën paradite. Perveç anëtarëve të Këshillit, në mbledhjen e sotme mori pjesë me ftesë Presidentit Meta edhe Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili nuk është anëtar i Këshillit.
Po çfarë është Këshilli i Sigurisë Kombëtare?
Ligji për Drejtimin e Forcave të Armatosura përcakton se “Këshilli i Sigurimit Kombëtar është organ këshillimor, i cili mbështet Presidentin e Republikës në ushtrimin e kompetencave dhe përgjegjësive kushtetuese e ligjore”.
Këshilli i sigurisë nuk merr vendime, por ndihmon Presidentin në detyrat e tij kushtetuese.
Cilët janë anëtarët e Këshillit?
Këshilli i Sigurisë përbëhet nga 14 anëtarë dhe kryesohet nga Presidenti i Republikës.
Anëtarët e tjerë të tij janë kryetari i Kuvendit, kryeministri, 7 ministra—i mbrojtjes, drejtësisë, punëve të brendshme, financave, transportit, punëve të jashtme dhe energjisë.
Anëtarë e tjerë janë Kryetari i Komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare, Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë.
Ligji i jep të drejtën Presidentit të “ftojë pjesëmarrës të tjerë” në mbledhjet e Këshillit, por që nuk gëzojnë të drejtat e anëtarëve.
Presidenti Meta ftoi të hënën kryetarin e opozitës, Lulzim Basha i cili ju përgjigj pozitivisht kësaj ftese.