Ditën e hënë ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin i kërkoi qytetarëve shqiptarë të mos e “shesin votën e tyre” gjatë zgjedhjeve të 25 qershorit. Këshilla për të mos shitur votën duket se është kthyer në himnin e përfaqësuesve ndërkombëtare në Shqipëri, a thua se shitja e votës është kërcënim më i madh i demokracisë se sa vetë politikanët që do të zgjidhen.
Çfarë është shitja e votave në të vërtetë? Të shesësh votën tënde do të thotë të votosh për atë parti apo kandidat që në këmbim të votës ju jep para apo mallra të tjera – ose njohur ndryshe si thesi i miellit. Por si është shitja e votës ndryshe nga votimi për një parti sepse ajo premton ulje të taksave? Apo arsim e shëndetësi falas? Të gjitha këto premtime në thelb përfaqësojnë një vlerë monetare për votuesit, e veçanërisht për familjet me të ardhura të ulta, që e ndjejnë menjëherë në xhepat e tyre efektin e ndryshimeve të sistemit të taksimit apo çmimeve të shërbimeve.
Pra, si janë këto premtime për taksa më të ulëta apo subvencione shtesë të ndryshme nga blerja e votave – shkëmbimi i parave për një votë?
Ajo që ndërkombëtaret vërtetë duan të thonë është që votimi duhet bazuar mbi vlerat, ideologjinë dhe programin e një partie politike e jo thjeshtë bazuar në sasinë e parave që do të përfundojnë në xhepin tuaj. Ambasadorja Vlahutin ka dashur të tregojë se zgjedhjet kanë të bëjnë shumë më tepër se sa thjeshtë me fitoret individuale dhe momentale; Zgjedhjet përcaktojnë të ardhmen e një shteti dhe jo vetëm nëse një familje mund të blejë ushqime dhe për një javë më tepër.
Problemi është se partitë politike shqiptare nuk kanë ndonjë përmbajtje, program, vlerë, apo ideologji – ose të paktën, të gjithë kanë të njëjtat. Siç theksoi Gjergj Erebara nga Reporter një javë më parë, premtimet e partive më të mëdha në zgjedhje vështirë se mund të dallohen nga ato të bëra në vitin 2013 dhe vështirë se mund të dallohen nga njëri-tjetri.
Pra, qytetarët e Shqipërisë, të përballur me një situatë politike në të cilën të gjitha partitë premtojnë pak a shumë të njëjtën gjë, dhe që të gjithë do t’i thyejnë këto premtime në momentin e zgjedhjes së tyre, ka logjikisht vetëm një kriter objektiv për të gjykuar se ku duhet të hedhin votën: Sa para mund të përfitoj tani?
Çdo përfitim monetar në të ardhmen – nëpërmjet kujdesit shëndetësor falas, punësimit apo uljes së taksave – rezulton se është një mirazh, një premtim i bërë nga të gjithë dhe i mbajtur nga askush.
Kjo është diçka që ambasadorja Vlahutin dhe gjithë kolegët e saj dështojnë të vlerësojnë në të vërtetë.
E në një mjedis kaq cinik, ku nuk duket asnjë mundësi për të ardhme ndyshe, mosshkuarja në votime apo dhe shitja e votës bëhen të vetmet gjëra të arsyeshme për tu bërë.