Më 25 tetor 2017, Kuvendi rrëzoi kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për lejimin e arrestimit të deputetit Saimir Tahiri.
Sipas, Raportit të deputetëve të PS-së, pjesë e Komisioni të Imunitetit, i cili u miratua në Kuvend rekomandohejë lejimi i kontrollit të banesës dhe pasurisë së ish-ministri Tahiri, si dhe kufizimi i lëvizjes së tij jashtë vendit, por jo arrestimin.
Pas këtij vendimi të Kuvendit, një sërë ngjarjesh kriminale pasuan çështjen Tahiri.
Më 26 tetor, Prokuroria kontrollon banesën e Saimir Tahirit.
Më 27 tetor, Saimir Tahiri u pyet për rreth dy orë nga Prokurorët e Krimeve të Rënda mbi lidhjet me grupin kriminal të Habilajve.
Më 31 tetor, Saimir Tahiri largohet nga Kreu i PS-së së Tiranës dhe nga Koordinator i bashkëqeverisjes së qeverisë me qytetarët.
Më 1 nëntor, gjatë një lidhje telefonike për ‘News24’, gazetari i ‘Meridionews’ Dario De Luca që publikoi dosjen e përgjimeve të grupit “Habilaj” tha se nga hetimet e deritanishme në përgjimet e grupit kriminal bëhet fjalë për ish-ministrin e Brendshëm Tahiri.
Më 1 nëntor u arrestua Orest Sota, pasi nuk zbatoi urdhërin e Policisë së Elbasanit për qendrim në postobllok. Biznesmenit 25 vjeçarë, policia i gjeti 800 mijë euro edhe dy lejet për drejtim të mjeteve lundruese të tonazhit 20 deri 100 ton në emër të ish- Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
Sota tha në polici se paratë i kishte me vete pasi do të blinte hekur te kompania ‘Kurum’. Deklaratat e tij u hodhën poshtë nga Kompania Kurum. Përfaqësues të Kurumit, thanë se transaksione të tilla nuk bëhen asnjëherë me para në dorë por me bankë.
Ndërsa, për patentat e Saimir Tahirit, Sota u shpreh se i ka harruar shoferi i Zotit Tahiri në makinën e tij.
Firma e Orest Sotës “ECO CONSTRUCTION & PARTNERS” e themeluar në vitin 2015 ka rikonstruktuar Komisariatin Nr. 6 të Policisë në Tiranë, zonës elektorale e Saimir Tahirit, kur drejtonte Partinë Socialiste. Sota është djali i biznesmenit Lefter Sota dhe nipi i Kapitenit të RENEAS Vasillaq Sota.
Por në lidhje me këtë çështje, deputeti Tahiri nuk doli asnjëherë të sqarojë publikisht arsyen pse patentat e tij u gjetën në makinën e biznesmenit 25 vjeçar Orest Sota.
Më 7 nëntor 2017, gazetari Basir Collaku publikon faktin se makina në të cilën qarkullonte Sota është në pronësi të biznesmenit të ndërtimit Armando Lilo. Firma e të cilit aktualisht po ndërton në lulishten tek ish-Parku i Autobuzave një kompleks banimi dhe shërbimi.
Më 15 nëntor, Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u largua në Gjermani, pavarësisht vendimit të Kuvendit për ndalim të daljes jashtë vendit. Avokati i tij nuk kishte dijeni për këtë udhëtim.