Parku i Lojrave, inagurimi i të cilit u reklamua me këmbëngulje nga Kryebashkiaku Veliaj, tashmë përfundoi. Por, beteja mes dyshes Rama–Veliaj dhe një grupi qytetarësh të panjohur dhe të papërfillshëm, ka lënë pasoja e dëshmi politike jo të papërfillshme.
Kjo ngjarje ka krijuar plagë dhe mllefe të thella në kupolën politike. Këtë e dëshmojnë sulmet e fundit ndaj Presidentit Nishani, të cilit në mënyrë të përsëritur drejtuesit e lartë të qeverisë i janë drejtuar si “Presidenti i parkut të lojrave”, vetëm pse ai ishte i vetmi politikna që i përfilli protestuesit.
Ja disa nga gjërat që nxori në pah protesta e Parkut të Liqenit:
- Protesta demaskoi Kryebashkiakun Veliaj, i cili në pak javë e braktisi maskën e njeriut qytetar, të thjeshtë, të shqetësuar për njerëzit. Ai u ekspozua si njeri inatçor, arrogant, shpërfillës, manipulator, pa respekt për ligjet, i shqetësuar vetëm për të plotësuar urdhërat e dëshirat e mentorit të tij.
- Protesta nxorri në pah pabesinë e Zotit Veliaj, i cili erdhi në pushtet duke premtuar “zero beton” dhe vetëm pak muaj pasi fitoi, betonizoi të paktën dy mijë metra katrorë në Parkun e Liqenit.
- Protesta tregoi se koncepti i shtetit sipas Rilindjes është shpërfillja e ligjit, mos përfshirja e qytetarit në vendimarrje, mungesa e transparencës dhe klientelizmi.
- Protesta tregoi drejtimin e gabuar të qeverisë, e cila përpiqet të manipulojë opininon e qytetarëve duke i gënjyer me lojra fëmijësh për të fshehur interesa më të mëdha të lidhura me ndërtime pallatesh në Parku e Liqenit.
- Protesta tregoi se Rilindasit nëpërmjet kriminalizimit dhe delegjitimizimit të vazhdueshëm të kundërshtarit besojnë se kush fiton merr gjithçka, bënë çfarë të dojë, pa asnjë respekt për mendimin ndryshe.
- Protesta na mësoi se falë mediave sociale dhe disa portaleve online tashmë nuk mund të fshehësh dot më të vërtetën dhe se përhapja e lajmit nuk është më në dorë të mediave të blera të pushtetit.
- Protesta tregoi se pavarësisht protestuesve profesionistë partiakë, ekziston një grup i vogël qytetarësh, të pa korruptueshëm nga pushteti apo paratë, të aftë të shprehin publikisht mospëlqimet e tyre, të cilët do të shtohen në të ardhmen.