Çfarë na mësoi Kaltrina?

Nga Ilir Çopja
Çfarë na mësoi Kaltrina?

Dje, një deputete 25 vjeçare shqiptare nga Kumanova i dha një leksion të vlefshëm politikës mbarëshqiptare. Në komisionin parlamentar për prokurorinë specialë në Maqedoni, Kaltrina Azizi mbrojti me vendosmëri sanksionimin e gjuhës shqipe si gjuhë të dytë të shtetit. E bëri duke folur shqip, rrjedhshëm, qetë dhe me vendosmëri. Problemi i pranimit të gjuhës shqipe si gjuhë e dytë zyrtare në Maqedoni kishte rritur tensionet ndëretnike në vendin fqinj. Partia VMRO, e cila është partia në pushtet në koalicion me partinë e shqiptarëve, BDI ishte shprehur kundra. Ku qëndron rëndësia e kësaj deklarate?

Rëndësia qëndron, së pari, në gjuhën e përdorur nga deputetja, një gjuhë bashkëjetese, duke quajtur Maqedoninë si shteti i tyre i përbashkët. Kaltrina Azizi foli me një shqipe të pastër duke i zgjedhur fjalët me shumë kujdes. Deklarata e saj ishte shumë ndryshe nga deklarata e Kryetarit të Komunës së Strugës, Ziadin Sela, sipas së cilit: “Nëse nuk njihet gjuha shqipe si gjuhë e dytë shtetërore, atëherë Maqedonia do të ndahej në dy pjesë, në perëndimin shqipfolës dhe në lindjen sllave”. Kjo deklaratë e fortë nxiste lëvizjet separatiste brenda vendit duke përshkallëzuar tensioned, ndërsa ajo e Kaltrina Azizit i ul tensionet. Çfarë mësimi mund të nxjerrin politikanët shqiptarë në Kosovë, Mal të Zi, Shqipëri, Serbi si edhe minoriteti çam nga deklarata e djeshme?

Shumica e politikanëve shqiptarë në Shqipëri dhe trevat shqiptare bëjnë deklarata pompoze patriotike në prag të fushatave zgjedhore. Ato u vlejnë vetëm atyre për të marrë disa qindra vota më shumë që mund të jenë decizive për ngjitjen e tyre në pushtet. Sidomos në rastin kur me të ardhur në pushtet pranojnë kontrata diskriminuese koloniale (rasti i kontratës Shqipëri-TAP) apo akoma më keq falja e detit e privatizime korruptive. Nuk bashkon gjë “Lidhja e dyte e Prizrenit” kur në kufi ende ka dy palë policë e dy palë taksa. Nuk vlejnë as deklaratat provokuese e tinzare në takime ndërshtetërore sepse nuk sjellin as më shumë të drejta e as më shumë të ardhura për shqiptarët e asaj treve.

Nuk vlen as kompozimi i një kënge, e cila më tepër u shërben sponsorizuesve të saj sesa atyre që e dëgjojnë. Nuk shërbejnë as gjestet akrobatike, të guximshme e njëkohësisht të marra e të pavlera me flamuj të qepur keq. Nuk vlen të shpalosim shenjën e shqiponjës në rrjete sociale, të ulërasim në stadium, të shajmë e të tregojmë grushtin. Nuk vlejnë as garat me “like” në rrjete sociale me foto të personazheve tanë sportive dhe artistikë apo të figurave të shquara historike e arsimore.

Të gjitha veprimet e lartpërmendura janë të gabuara dhe çojnë ujë në mullirin e kundërshtarëve tanë. Me këto gjeste shfaqemi para syve të botës si huliganë, të egër e shovinistë; me këto deklarata tinëzare akuzohemi nga fqinjët si destabilizues të rajonit dhe deklaratat vulosen si “Provokacja”. Ndërsa takimet dypalëshe, përpos se kanë prodhuar pak zhvillime pozitive për qytetarët e të dy anëve, janë edhe separatiste duke lënë mënjanë trevat e tjera. Marrëveshjet koncesionare të tipit kolonial e tregojnë ende Shqipërinë si shtet i pafuqishëm që s’është në gjendje të ruaj sovranitetin e vet e jo më të bëhet “Piemonti” i trevave shqiptare

Ne, shqiptarët në përgjithësi dhe politikanët që na përfaqësojnë në veçanti, duhet të marrin leksione nga ajo deputete 25 vjeçare kumanovare. Duhet të mbrojmë të drejtat tona dhe të bashkatdhetarëve tanë në rajon e më gjerë si të drejta legjitime. Duhet t’u drejtohemi logjikës së bashkatdhetarëve dhe kundërshtarëve tanë me veprimet e fjalët tona e jo anës emocionale. Nëse veprimet dhe deklaratat tona janë emotive ato do jenë lehtësisht të manipulueshme dhe të keqpërdorshme prej qarqeve antishqiptare.

Sot, më shumë se 24 orë pas deklaratës së deputetes Azizi, jehona e saj ka marrë dhenë në mbarë trojet shqiptare dhe më gjerë, por çka është më e rëndësishme nuk është arritur të keqinterpretohet apo keqpërdoret nga qarqet shoviniste antishqiptare. E gjitha kjo falë gjuhës së zgjedhur dhe të matur të deputetes, shembull pozitiv rrallë i ndeshur në hapësirën mbarëshqiptare.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>