KPA shkarkoi nga detyra Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja për shkak të mosjustifikimit të pasurisë me burime të ligjshme financiare.
Shkarkimi i Dedes shkakton një sërë problemesh në institucionet aktuale të reformës në drejtësi, të cilat do t’i shpjegojmë më poshtë:
Këshillit të Emërimeve në Drejtësi nuk formohet
Siç e kemi shpjeguar dhe më parë, Bashkim Dedja dhe Vitore Tusha janë anëtarët e vetëm të mbetur nga Gjykata Kushtetuese, e rrjedhimisht ata u zgjodhën për dy vendet në KED, të dedikuara për Gjykatën Kushtetuese.
Me shkarkimin e Dedes, një prej këtyre vendeve mbetet i paplotësuar, duke qenë se nuk ka asnjë anëtar tjetër nga Gjykata Kushtetuese që mund ta zëvendësojë Deden.
Por edhe nëse do të emërohej një anëtar i ri i Gjykatës Kushtetuese për të plotësuar vakancat e krijuara, ligji nr.155/2016 përcakton qartë që kandidati për KED, që vjen nga Gjykata Kushtetuese duhet të ketë ushtruar detyrën për të paktën një vit si i tillë. Ndaj për të paktën një vit, vendi i Bashkim Dedes në KED do të mbetet bosh.
Nuk plotësohet kuorumi i nevojshëm për mbledhje dhe marrjen e vendimeve në KED
Siç parashikohet në Kushtetutë, KED duhet të ketë 9 anëtarë, përfaqësues të institucioneve të niveleve të ndryshme të sistemit të drejtësisë.
Shorti për KED-in e vitit 2019 u hodh më 7 dhjetor dhe si pasojë e mungesës së kandidatëve që përmbushin kriteret, një vend mbeti bosh.
Tani me shkarkimin e Dedes, KED humbi dhe një anëtar tjetër, duke mbetur me shtatë anëtarë. Nga këto shtatë anëtarë, vetëm katër janë përballur me vetingun dhe janë konfirmuar në detyrë, ndërsa tre të tjerët (Fatri Islamaj, Margarita Buhali dhe Eriol Roshi) nuk janë përballur ende me vetingun, e ndaj nuk mund të marrin pjesë në mbledhjet e KED-së derisa sa të konfirmohen në detyrë nga KPK dhe KPA. Mbetur me vetëm katër anëtarë që plotësojnë kushtet, KED nuk mund të mblidhet pasi ligji përcakton kuorumin prej 5 anëtarësh për marrjen e vendimeve.
Duket se historia e viteve të fundit, ku KED 2017 dhe KED 2018 u formuan në letër, por nuk funksionuan asnjëherë në realitet, po përsëritet me KED-in e vitit 2019.
KED ka si funksion kryesor renditjen e kandidatëve për Gjykatë Kushtetuese (GjK) dhe Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë (ILD).
Në rastet kur organet kompetente për GjK-në — Kuvendi, Presidenti dhe Gjykata e Lartë, dhe për ILD-në — Kuvendi— nuk mund të zgjedhin kandidatët, anëtarët e GjK-se dhe ILD-së përcaktohen sipas renditjes seë kryer nga KED.