Çfarë ndodh pas vërtetimit të aktakuzës në Hagë

Nga Radio Evropa e Lirë
Çfarë ndodh pas vërtetimit të aktakuzës në Hagë

Të enjten (24 shtator) Prokuroria Speciale në Kosovë arrestoi Salih Mustafa, njëri prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Llapit. Ky është arrestimi i parë i bërë nga Prokuroria Speciale në Kosovë.

Mustafa u arrestua në Kosovë dhe do të transferohet në paraburgim në Hagë.

Çfarë do të thotë konfirmim i aktakuzës?

Sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e prokurorit të Specializuar, gjyqtari i procedurës paraprake e konfirmon aktakuzën vetëm nëse është i bindur se prokurori i Specializuar e ka akuzën të mirëbazuar në fakte.

Me kërkesë të prokurorit të Specializuar, gjyqtari i procedurës paraprake mund të lëshojë urdhërarrestin, të urdhërojë transferimin e personave në Dhomat e Specializuara, si dhe çfarëdo urdhri tjetër që mund të kërkohet për zhvillimin e hetimeve dhe për përgatitjen e shqyrtimit gjyqësor të drejtë dhe të shpejtë.

Pas arrestimit personi informohet menjëherë për akuzat kundër tij dhe transferohet në Dhomat e Specializuara.

Gjyqtari i procedurës paraprake e lexon aktakuzën, bindet se të drejtat e të akuzuarit janë respektuar, konfirmon se i akuzuari e kupton aktakuzën dhe e udhëzon të akuzuarin që të deklarohet.

Pas shqyrtimit fillestar dhe sapo të jetë zgjidhur çdo parashtresë paraprake, Kryetari i Dhomave formon trupin gjykues për zhvillimin e procedurës së shqyrtimit gjyqësor.

Personi i arrestuar nga Dhomat e Specializuara ose në emër të tyre, duhet të gjykohet pa vonesë, brenda një kohë të arsyeshme ose të lirohet në pritje të shqyrtimit gjyqësor. Pas konfirmimit të aktakuzës, ajo pa vonesë të mirëjustifikuar në ligj, i dorëzohet personalisht të akuzuarit.

Paraqitja e parë e të arrestuarit përpara gjyqtarit bëhet brenda shtatë ditësh pasi të akuzuarit i është dorëzuar aktakuza.

Aktakuza bëhet publike pas konfirmimit të saj prej gjykatësit të procedurës paraprake. Ajo nuk publikohet nëse prokurori i Specializuar paraqet arsye të vlefshme, për shkaqe sigurie, për parandalimin e arratisjes së të akuzuarit etj. Aktakuza bëhet publike, nëse është e nevojshme me redaktime, jo më vonë se paraqitja e parë e të akuzuarit.

Në seancën e parë, i arrestuari infromohet se brenda 30 ditësh do t’i kërkohet të deklarojë nëse është fajtor, ose i pafajshëm për çdo akuzë.

Pas konfirmimit të aktakuzës dhe paraqitjes së parë të të akuzuarit, gjykatësi i procedurës paraprake bashkërendon komunikimin ndërmjet palëve deri në momentin kur çështja i kalohet trupit gjykues. Ai siguron që të mos ketë vonesa dhe merr të gjitha masat e nevojshme për përgatitjen e shpejtë të çështjes për gjykim.

Si funksionon Gjykata Speciale?

Gjykata e Kosovës e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Specializuar e Prokurorisë në Hagë u formua nga përfaqësia ndërkombëtare dhe financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian.

Gjykata u themelua me vendimin e Kuvendit të Kosovës pas raportit të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, në të cilin senatori zviceran Dick Marty foli për krimet e pretenduara “të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë“, që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Që nga 2019-ta, qindra ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë intervistuar nga prokurorët ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara.

Ndër to janë ish- kryeministri Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, Azem Syla, Sami Lushtaku, Rustem Mustafa, Shukri Buja e të tjerë. Një numër prej tyre u mbrojtën në heshtje.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar në fund të qershorit se, në muajin prill, ka paraqitur për shqyrtim një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.

Në muajin korrik, Thaçi, për katër ditë me radhë u morr në pyetje nga prokurorët në Hagë.

Thaçi, në fund të vitit të kaluar i ka dërguar një letër Sekretarit të Shtetit Amerikan Mike Pompeo, ku ka shprehur bindjen e tij se Gjykata e Hagës po e bën të kundërtën e asaj që ishte parashikuar në fillim.

Thaçi ka theksuar që qëllimi për formimin e Gjykatës Speciale ka qenë që të mundësohet ekzistimi i kornizës ligjore dhe institucionale kombëtare të besueshme, i cili do të hetonte dhe do të procedonte krimet e pretenduara se janë kryer gjatë viteve 1998-2000 në Kosovë.

“Në këtë drejtim, është paraparë që krimet që pretendohet se janë kryer nga të dy palët e konfliktit do të hetohen plotësisht dhe në mënyrë të drejtë”, ka theksuar Thaçi.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, në përgjigjen e tij, siguroi Thaçin që puna e Gjykatës Speciale nuk është e drejtuar në mënyrë specifike kundër asnjë grupi etnik, lëvizje, force apo njësie.

Ai shtoi se SHBA-të presin nga të gjithë liderët e Kosovës që t’ju përmbahen detyrimeve të dhëna qytetarëve dhe bashkësisë ndërkombëtare, si dhe që të bashkëpunojnë plotësisht me gjykatën.

 

Artikull i botuar në Radio Evropa e Lirë

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>