Më 25 qershor në Shqipëri u zhvilluan zgjedhjet e përgjithshme.
Në këto zgjedhje sipas KQZ, votuan 1, 544,478 qytetarë ose 46,65 për qind e popullsisë votuesve.
Krahasuar me zgjedhjet e vitit 2013, ku votuan 1,724,779 qytetarë, më 25 qershor votuan 180,301 qytetarë më pak. Kjo pjesëmarrje është më e ulta në zgjedhjet e viteve të fundit, ndoshta për disa arsye: temperaturave të larta, festës së Ramazanit dhe një zhgënjimi të përgjithshëm të shqiptarëve me situatën politike.
Në total 29,880 vota janë shpallur të pavlefshme.
Kur ka mbaruar numërimi i më shumë se 96 për qind të kutive, KQZ raporton se:
-Partia Socialiste kryeson me 733,168 vota, ose 48,33 për qind. Krahasuar me zgjedhjet e 2013-ës, ku PS fitoi 713,407 vota, PS ka marrë 19,761 vota më tepër, ose rreth 2,7 për qind më shumë. Përkthyer në mandate, nga 65 në zgjedhjet e 2013-ës, aktualisht PS po fiton 74 mandate.
-Në vend të dytë renditet Partia Demokratike me 438,284 vota, ose 28,89 për qind të votave. Krahasuar me zgjedhjet e 2013-ës, ku PD fitoi 528 373 vota, PD ka marrë 90,089 vota më pak.
Po të kemi parasysh se në 2013-ën në koalicion me PD ishte dhe Partia Republikane – e cila fitoi 52,168 vota, ndërsa tani PR nuk kandidoi me listë të vetën por bëri fushatë me PD, mund të themi se të djathtët kanë humbur më shumë se 140 mijë vota krahasuar me vitin 2013. Meqë mbështetja e përgjithshme e PS nuk u rrit ndjeshëm, një pjesë e madhe e humbjes së PD duhet t’i atribuohet votuesve të saj që duket se nuk kanë votuar.
Përkthyer në mandate, nga 50 në zgjedhjet e 2013-ës, aktualisht PD po fiton 43 mandate.
-Në vend të tretë renditet Lëvizja Socialiste për Integrim me 218,361 vota, ose 14,39 për qind. Krahasuar me zgjedhjet e 2013-ës, ku LSI fitoi 180 470 vota, LSI ka marrë 37,891 vota më tepër, ose rreth 21 për qind më shumë. Përkthyer në mandate, nga 16 në zgjedhjet e 2013-ës, aktualisht LSI po fiton 19 mandate.
-Në vend të katërt rendidet Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet me 70,567 vota, ose 4,65 për qind. Krahasuar me zgjedhjet e 2013-ës, ku PDIU fitoi 44 957 vota, PDIU ka marrë 25,610 vota më tepër, ose rreth 57 për qind më shumë. Pavarësisht kësaj rritje të konsiderueshme në zgjedhje, për shkak të moskandidimit në koalicion, PDIU ka arritur të sigurojë vetëm 3 mandate, një më pak se në zgjedhjet e vitit 2013.
-Në vend të pestë renditet Partia Social Demokrate me 14,505 vota, ose 0,96 për qind të votave. Krahasuar me vitin 2013, ku mori 10 220 vota, PSD ka marrë 4285 vota më tepër, ose 41 për qind më shumë. PSD ka arritur të sigurojë një mandat në qarkun e Shkodrës.
Ndërkohë dy partitë e reja të konsideruara anti-sistem, LIBRA e Ben Blushit dhe SFIDA e Gjergj Bojaxhi, nuk kanë arritur të sigurojnë asnjë mandat.
LIBRA në rang kombëtar ka fituar 18,615 vota ose 1,23 për qind; ndërsa SFIDA ka arritur të marrë vetëm 3270 vota ose 0,22 për qind.
Në kuvendin e ardhshëm do të kemi vetëm 5 parti, PS, PD, LSI, PDIU e PSD. Po të shohim përbërjen e parlamentit të dalë nga zgjedhjet e vitit 2013, mungojnë PBDNJ, PKDSH dhe PR. Gjithsesi në sajë të marrëveshjes mes Kryetarit të PD-së Lulzim Basha dhe dy prej këtyre partive PBDNJ e PR, krerët e tyre Vangjel Dule e Fatmir Mediu, si dhe Dashamir Shehi, kreu i LZHK-së, do të jenë pjesë e parlamentit të ardhshëm pasi ishin përfshirë në listat e PD-së. Po ashtu, Nard Ndoka kreu i Partisë Demokristiane fitoi një mandat i përfshirë në listën e PD-së në qarkun Shkodër.