Aktori Laert Vasili nxiti debat pasditen e së dielës pasi publikoi një video ku pretendonte se aktivistë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit e kishin fyer dhe dhunuar padrejtësisht. Në media qarkulloi edhe një foto e zotit Vasili në spital.
Me një video-postim në Facebook zoti Vasili tha se ishte fyer dhe kapur për fyti dhe për këtë ai akuzoi z. Robert Budina.
“[…] këta uzurpatorë të pronës publike, në këto çaste pasi më dhunuan fizikisht me në krye z.Robert Budina i cili më futi thonjtë në grykë dhe duke më sharë me libër shtëpie u përpoqën të bëjnë lajm për të dalë nga anonimati i jashtëligjshmërisë!”
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit sqaroi më vonë se ngjarja në fjalë ishte e inskenuar për të provokuar situatë në dëm të çështjes së teatrit.
Përmes një deklarate në Facebook Aleanca theksoi:
“[…] se autori në fjalë i kapur gafil në akt vandalizmi, nuk është dhunuar, por është tentuar të mbahet aty, për t’ia dorëzuar forcave të policë.”
Aleanca tregoi se:
- në orët e para të datës 20 dhjetor roja e teatrit kishte parë aktorin Laert Vasili teksa griste posterat e ekspozitës së Avni Delvinës
- më 22 dhjetor rreth orës 2:00 aktivistët e kapën në akt Vasilin teksa griste banderolën “Monument kulture, mbrohet nga populli”
- i gjendur përballë aktorëve që i kërkonin llogari, Vasili inskenoi sikur po sulmohej
Aktivistët e lidhën rastin e propaganduar si dhunë nga Vasili me autoritetet, të cilat muajin e fundit kanë nxitur përplasje, situata denigruese apo justifikuese për të vepruar më pas për mbylljen e protestës dhe shembjen e teatrit. Në mbrëmje ata postuan edhe një video tjetër që tregonte se si qëndronte ngjarja.
Exit News sjell dy videot e postuara nga zoti Vasili dhe aktivistët e Aleancës:
Prej 2 vitesh qytetarë dhe artistë janë angazhuar për të kundërshtuar projektin e mbështetur nga qeveria që parashikon shembjen e Teatrit Kombëtar dhe rindërtimin e një tjetri sipas një skeme partneritet-publik-privat. Me skemën e mbrojtur nga qeveria privati përfiton tokë publike dhe leje për të ndërtuar disa kulla pas.
Prej 27 korrikut artistët kanë rihapur teatrin duke zhvilluar rreth 50 shfaqje me trupa teatrore edhe të huaja e duke e mbajtur në vazhdim protestën me grupe që rrinë atje edhe natën.