Zbulimet surprizë pranë kullës veneciane në Durrës që imponuan ndalimin e pjesshëm të punimeve përpara sheshit në hyrje të portit të qytetit, nuk po i përgjigjen ende shqetësimit të qytetarëve.
Autoritetet nuk kanë bërë asnjë interpretim në lidhje me funksionin apo datimin e gjetjeve. Dhe mesa duket, nuk e kanë ndërmend, as në një të ardhme të afërt.
Ndonëse kanë kaluar dy javë, qysh prej zbulimit të rrënojave, disa pyetje kryesore kanë mbetur pa përgjigje: çfarë janë këto rrënoja? Si do të mbrohen nga punimet e zbatimit të projektit të Velës? A do të ndryshojë projekti dhe cili është propozimi i investitorit (Bashkia e Durrësit) në mënyrë që gjetjet e reja të jenë të vizitueshme e zgjidhja përfundimtare të marrë pëlqimin e publikut?
Në bazë të Ligjit Për Trashëgimisë Kulturore, autoritetet përgjegjëse, (Agjencia e Shpëtimit Arkeologjik, një njësi e specializuar për ndërhyrje emergjente, pranë Ministrisë së Kulturës, në bashkëpunim me DRKK-në e Durrësit), duhej që të kishte marrë një vendim brenda dhjetë ditëve nga ndalimi i punimeve. Por deri tani nuk ka asnjë njoftim dhe në faqen online të Ministrisë së Kulturës nuk është hedhur asnjë deklaratë. Natyrisht fotot dhe aktivitetet e Zonjës Kumbaro nuk mungojnë!
Ndërkohë, të tjera të dhëna po ngrenë dyshime të reja!
Megjithëse Gjykata Administrative e Durrësit shpalli ndalimin e punimeve “në pjesën e sipërme të rrugës në sheshin përpara hyrjes së portit…”, kompania zbatuese në terren vazhdon të punojë, duke shtuar armatura dhe pilota të tjera betoni. Administratorët e firmës pretendojnë se punimet këqyren prej arkeologëve dhe pilotat e reja po vendosen jashtë zonës arkeologjike. Por ata nuk dinë të shpjegojnë, se përse disa prej këtyre pilotave u gjendën pikërisht, një mëngjes, brenda zonës A duke dëmtuar disa struktura rrënojash.
Dëshmitë vizuale u publikuan prej aktivistëve në rrjetin social Facebook.
“Eshtë një situatë dëshpëruese dhe e pashpresë”, thotë avokatja, Zonja Mirela Jorgo. “Kryetari i Bashkisë po del mbi vendimin e gjykatës. Kështu, ata po vrasin historinë”.
Në pamje dukeshin makineri të rënda ndërtimi dhe punëtorë të kompanisë private të cilët punonin pranë Kullës.
“Nuk punohet në zonën që ka bllokuar gjykata, u përgjigj kryetari i bashkisë”, Vangjush Dako. “Madje në atë zonë nuk po punohet qysh prej datës 4 shkurt, pra shumë ditë përpara se gjykata të shpallte ndalimin e punimeve. Arkeologët janë të pranishëm gjithashtu”
“Askush nuk po gërmon pranë kullës veneciane”, thotë Edi Shehu, kryerkeologu përgjegjës në sit. Madje, në perimetrin përreth saj, në pjesën e gjurmës ku mendohet se kalon muri bizantin nuk e kemi lejuar hedhjen e betonit. Gjithçka është nën monitorim”.
Por konflikti është rënduar, kur sipas aktivistëve, gjykata ka modifikuar vendimin që ndalon punimet. Ata pretendojnë se çka është zbardhur më pas prej vendimit është e ndryshme nga ç’ka u është thënë në seancë, në datën 16 shkurt. Nëse rezulton e vërtetë, kjo zhvlerëson gjithçka, sepse ligjërisht, i ka ndaluar punimet në një zonë ku realisht ishin ndaluar prej kohësh, qysh kur gjetjet dolën në sipërfaqe.
Por kjo mjegullnajë dhe kjo paqartësi, e shtuar edhe për shkak të përplasjes publike mes aktivistëve dhe kryetarit të bashkisë, po duket se nuk është thjesht një mosmarrëveshje e pretenduar palësh.
Është e pashpjegueshme kurajo e kompanisë zbatuese për të vazhduar punimet kur vendimi i ardhshëm i Këshillit Kombëtar tët Arkeologjisë mund të rrëzojë gjithçka.
Sepse rezultatet e gërmimit priten të vlerësohen në Këshillin Shkencor të Ministrisë së Kulturës dhe më pas vendimmarrja, që përfshin dhe ndryshimet e mundshme, i takon Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë.
Por atëherë, përse nuk i ndërpret firma punimet, qoftë dhe për fare pak ditë, kur dihet se projekti parashikohet të përfundojë në vitin 2019? Përse duhet që arkeologët të punojnë nën presion? Përse vazhdon të heshtë ministrja Mirela Kumbaro Furrxhi?
A do të ketë ndryshime në projekt? A do të zbulohen rrënojat? A do të zbulohet muri bizantin i Shekullit VI? A do të përfshihen qytetarët e Durrësit në vendimmarrje?
Dhe në fund të fundit , a mos po e përdorin autoritetet, qëllimisht konfliktin më qytetarët e revoltuar, përmes vendimeve apo akteve të kota juridike, pa vlerë reale, për të fshehur aksionin e vërtetë në prapaskenë? A mos duan të krijojnë iluzionin e një procesi transparent për të mbuluar një shpërfillje të qëllimshme?
Dhe në mbyllje. A mos vallë nuk duan të bëjnë asnjë ndryshim?!