Një tjetër zonë arkeologjike po shkatërrohet nga ndërtimet me leje të qeverisë. Në Kalanë e Tiranës, zonë arkeologjike “A” ka filluar ndërtimi i një kompleksi dyqanesh një katëshe. Projekti quhet “Pazari i Tiranës”.
Qeveria Rama ka ndërmarrë një sërë vendimesh që i hapën rrugën këtij ndërtimi në zonën e mbrojtur të Tiranës.
Më poshtë është kronologjia e këtyre vendimeve dhe detaje nga projekti:
- Në 3 dhjetor 2009, Qeveria Berisha e shpalli Kalanë e Tiranës “zonë arkeologjike” të tipit A. Sipas VKM-së, në këtë zonë lejohej vetëm restaurimi i monumenteve të kulturës brenda kufijve të zonës dhe konstruksioni i rrugëve.
- Më 20 prill 2016, Qeveria Rama vendosi lejimin e ndërtimeve në Kalanë e Tiranës, duke shtuar në vendimin e Qeverisë Berisha një nen të ri:
“Neni 4. Vendosja e konstruksioneve të lehta (dru, xham, plastikë, metal) me lartësi maksimale një kat, të cilat duhen realizuar larg mureve dhe strukturave të tjera të dallueshme apo të supozuara.”
- Sipas VKM-së, konstruksionet duhet të lidhen me veprimtari arkeologjike dhe nuk duhet të dëmtojnë nëntokën dhe peizazhin e zonës.
- Më datë 22 dhe 27 korrik 2016, Këshilli Kombëtar i Restaurimeve dhe Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë miratuan projektin “Pazari i Tiranës”, kërkuar nga familja Toptani.
- Për projektin e Pazarit të Tiranës nuk janë zhvilluar dëgjesa me publikun, me banorët e zonës dhe me organizatat e interesuara, siç e parashikon Ligji “Për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis”.
- Deri më tani mbi projektin e Pazarit të Ri është publik vetëm një Raport Paraprak i Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis, i vitit 2016. Sipas këtij raporti:
Sipërfaqja e tokës ku do të ndërtohet “Pazari” është 3 610 metër katrorë. Ndërtimi me sipërfaqe 1,621 metër katrorë do të shërbejë për ambjente tregtare.
Elementët që do të përdoren për ndërtimin e strukturave do të jenë: terrakot e bardhë, metal, xham i thjeshtë, struktural dhe transparent e duralumin.