Çfarë thotë shkenca rreth koronavirusit, çfarë mund të mësojmë nga e shkuara

Nga Exit News
Çfarë thotë shkenca rreth koronavirusit, çfarë mund të mësojmë nga e shkuara

Në mbi 120 shtete të botës, prej pandemisë së koronavirusit janë infektuar tashmë mbi 250 mijë njerëz. Të paktën 10 000 prej të cilëve kanë vdekur, duke detyruar masa shtrënguese për frenimin e saj.

Exit News përmbledh çka thuhet nga komuniteti shkencor rreth koronavirusit, çfarë përvoje ka pasur me situata të ngjashme, si mund të parandalohet përhapja.

Përvoja dhe gatishmëria

Dhjetëvjeçarët e fundit autoritetet ndërkombëtare të shëndetësisë janë përballur disa herë me epidemi të mëdha duke përfshirë këtu koronaviruset SARS dhe MERS, gripin H1N1 dhe virusin Zika.

Koronavirusi i ri (Covid-19 ose SARS-CoV-2) ka një shkallë ngjitëse vështirë për t’u parandaluar. Strukturat shëndetësore po përpiqen që t’i ngadalësojnë përhapjen.

Nga Covid-19 nuk dihet shumë me saktësi se si përhapet dhe si ndërvepron në mjedis, por siç thotë ekspertja amerikane e shëndetit publik Julie Gerberding, për këtë çështje mund të na ndihmojë përpërvoja e së shkuarës.

“Pas çdo epidemie kemi mësuar gjëra të reja, gatishmëria jonë ka bërë një hap përpara […] na duhet të mbledhim besim se edhe këtë epidemi të radhës do ta zgjidhim”.

Kushtet e kufizuara të testimeve në shumë vende të botës – duke përfshirë këtu edhe SHBA-të – e bëjnë të paqartë nivelin dhe shkallën e vërtetë të infeksionit që rrezikohet.

Kinës iu deshtën masa të jashtëzakonshme që ta përmbante përhapjen e virusit. Por pavarësisht masave, tashmë janë 145 shtete me rreth 200 mijë të infektuar në më pak se 4 muaj.

Tashmë shtete po aplikojnë qasje tjetër ndaj infeksionit, nuk po kërkohet përmbajtja e përhapjes, por ngadalësimi i tij.

Origjina e Covid-19, transmetimi dhe grupmoshat më të pambrojtura

Koronaviruset, – quajtur kështu prej kurorës me maja proteinike që kanë në sipërfaqen virale, – prekin rëndomtë njerëzit duke shkaktuar simptoma të lehta të të ftohtit.

Koronavirusi i ri Covid-19, buroi nga lakuriqët e natës, u zhvillua pasi kapërceu te gjitarë të tjerë dhe më pas u shpërhap gjerësisht pas infektimit të njerëzve. Gerberding shprehet se:

“Për shkak se ky virus nuk është hasur më parë, kemi arsye të forta të mendojmë se askush nuk ka imunitet prej tij”.

Koronavirusi i ri përhapet kryesisht përmes kontaktit direkt mes njerëzve.

Pjesa dërrmuese e rasteve janë me simptoma të buta, – temperature, kollë e thatë dhe lodhje, – por te më të moshuarit, të sëmurët me diabet, zemër dhe sëmundje të mushkërive ka rrezik të lartë për ndërlikime serioze të shëndetit.

Shumë aspekte mbeten të panjohura. Mendohet se pa masat e duhura, çdo i infektuar mund t’ia kalojë virusin të paktën 2 të tjerëve.

Për këtë ndikon fakti se objekte të ndotura me spërkla të tështimave apo kollitjeve mund ta përçojnë po aq lehtë virusin. Prandaj nevojitet më shumë higjienë, se sa thjesht larja e duarve.

Organizata Ndërkombëtare e Shëndetësisë (OBSH) ka raportuar se Covid-19 ka 3.4 për qind vdekshmëri. Studime të mëtejshme kanë treguar për 1 deri në 2 për qind.

Megjithatë me përhapjen e mëtejshme kjo përqindje pritet të rritet, por kjo do të jetë e ndryshme në raport me moshën mesatare që kanë shtetet që preken.

Ngadalësimi i përhapjes

Ngadalësimi i përhapjes së koronavirusit është thelbësor në minimizimin e pasojave në sistemin shëndetësor dhe jetët e atyre që kanë shëndet të rënduar.

Burimet e pakta njerëzore dhe materiale përballë një pandemie i bën personelet shëndetësore, ilaçet dhe materialet mjekësore jetike, – sidomos respiratorët.

Hamendësohet se Covid-19 mund të venitet përballë të ngrohtit, mjedise apo atmosferë të ngrohtë. Por ky hamendësim është vënë në diskutim nga shkencëtarët, duke marrë si shembull një koronavirus të ngjashëm me Covid-19, MERS-Cov (gripi i devesë), i cili shpërtheu në Lindjen e Mesme.

Aktualisht të vetmit që duket se kanë një lloj niveli imuniteti përballë Covid-19 janë fëmijët. Ata sidoqoftë janë po aq fajtorë sa të rriturit për përhapjen e infeksionit.

Angazhimi i përbashkët për distancim social dhe mbyllja në shtëpi – sidomos e të infektuarve që paraqesin pak simptoma – mund të frenojnë përhapjen.

Testimi është gjithashtu thelbësor për ta kuptuar përhapjen e virusit ndër popullatë. Pritet që javët në vazhdim shtetet ta shtojnë ndjeshëm numrin e testimeve.

Ilaçi dhe vaksina

Që kur shpërtheu epidemia e SARS-it në vitin 2003, kompani ndërkombëtare farmaceutike janë përpjekur të zhvillojnë një vaksinë.

Frenimi i përhapjes së SARS-it dhe reduktimi ndjeshëm i rasteve ndër vite nuk e bëri më emergjente, duke e kthyer fokusin e kompanive te zhvillimi i barnave.

Për shkak të përhapjes tmerrësisht më të gjerë se SARS-i, më shumë se 40 kompani farmaceutike po punojnë për të zhvilluar ilaçe dhe vaksinë për koronavirusin e ri.

Ekspertja e mjekësisë Gerberding pohon se:

“[…] pasi u ka shkaktuar pacientëve pneumoni, ajo [ndërlikimi shëndetësor] që ndodh më pas nuk varet shumë nga koronavirusi i ri […] por nga reagimi ndaj inflamacioneve dhe plagëve që pneumonia shkakton në mushkëri”.

Në këtë pikë, pacientët e riaftësuar, trupi i të cilëve ka zhvilluar njëfarë imuniteti mund të ndihmojë në zhvillimin e trajtimeve të specializuara.

Të gjitha gjasat janë që më parë të zhvillohen barna se sa vaksina, e cila pritet të kërkojë nga 1 deri në 2 vite.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>