Këtë fundjavë Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi raportin mbi Të Drejtat e Njeriut dhe të Punës për Shqipërinë, i cili mbulon zhvillimet e vitit 2017. Ndonëse diskutimi në medien shqiptare u drejtua më së shumti tek gjetjet mbi lirinë e medias, raporti përman gjetje edhe më shqetësuese.
Së pari, Raporti i Departamentit të Shtetit mbi të drejtat e njeriut në Shqipëri tregon në mënyrë të pagabueshme se Progres Raporti i Komisionit Evropian, i publikuar pak ditë më parë, ka dështuar në vlerësimin e saktë të përforcimit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Shqipëri — një nga pesë kriteret kryesore për hapjen e bisedimeve me BE-në.
Në hyrje të progres-raportit, shkruhet se:
Kuadri ligjor për mbrojtjen e të drejtave të njeriut është në linjë me standardet evropiane dhe Shqipëria ka ratifikuar pjesën më të madhe të konventave ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut. [..] Politikat dhe kuadri ligjor mbi mosdiskriminimin është gjërësisht në linjë me standardet evropiane.
Në vijim, në progres-raport shkruhet se “ligjet mbi të burgosurit dhe punonjësit e burgjeve nuk janë ndryshuar ende për të siguruara pajtimin me standardet evropiane”.
Raporti i Departamenti të Shtetit tregon qartë se çfarë do të thotë se nuk është përmbushur “pajtimi me standardet evropiane”. Ai rendit disa nga gjetjet si më poshtë:
Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe Avokati i Popullit raportuan se kushtet në disa qendra të paraburgimit ishin shumë të dobëta deri në nivelin e kushteve çnjerëzore.
Avokati i Popullit dhe organizatat joqeveritare raportuan se autoritetet kanë mbajtur të dënuar me probleme mendore në të njëtin vend me të burgosurit e shëndetshëm, dhe aksesi në kurimin e sëmundjeve të shëndetit mendor mungon.
Institucionet e burgjeve janë të tejmbushura, të burgosurit kanë akses të kufizuar në tualet, dhe kanë pak ose aspak ajrosje, dritë natyrale, apo krevate dhe stola. Sistemi i monitorimit me kamera nuk ekziston ose është i pamjaftueshme në pjesën më të madhe të komisariateve.
Ndërsa ligji i jep të dënuarve të drejtën për të pasur një avokat të paguar nga shtetit, OJQ-të raportojnë se procesi i marrjes në pyetje shpesh ndodh pa praninë e një avokati.
Shembujt e fundit, të cilat mbështesin gjetjet e mësipërme janë mbajtja në paraburgim e protestuesve të Rrugës së Kombit dhe arrestimi i shtetases amerikane pa i mundësuar asaj praninë e një avokati për 7 orë.
Raporti i Komisionit Evropian infromon se “gjatë periudhës së raportimi, 22 drejtorë burgjesh janë larguar dhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve është zëvendësuar katër herë.” Por, raporti i Departamenti të Shtetit na shpjegon arsyen e këtyre lëvizjeve:
Pjesa më e madhe e drejtorëve të burgjeve u pushuan gjatë vitit si pasojë e akuzave për korrupsioni, abuzim me detyrën dhe shkelje të tjera të ligjit.
Progres-raporti ka për qëllim të japë një pasqyrë për gjendjen e respektimit të ligjeve të BE-së dhe në veçanti, të pesë prioriteve kryesore të formuluara në progres raportin e vitit 2016, nga qeveria shqiptare.
Ky raport do të jetë baza mbi të cilën do të vlerësohet vendimi i Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Evropës në lidhje me hapjen e negociatave me Shqipërinë. Por është e qartë se në krahasim me raportin e KE-së, raporti i DASH shfaq një realitetin të errët të të drejtave të njeriut në Shqipëri.
Së dyti, raporti i DASH mbi të drejtat e njeriut tregon qartë se si Ambasada Amerikane në Tiranë ka dështuar në zbatimin e prioriteteve të vendosura nga DASH. Ambasada ka heshtur mbi trajtimin e të dënuarve, si përshembull në rastin e protestueve të Rrugës së Kombit, edhe kur provat treguan se janë shkelur të drejtat e tyre.
Deri më sot Ambasada Amerikane nuk ka reaguar ende mbi raportin e DASH dhe as nuk ka folur për shkeljet e të drejtave të njeriut në Shqipëri. Në fakt deklarata e fundit e ambasadorit uron policinë shqiptare për kapjen e 613 kilogramë kokainë nga Kolumbia, pasi kjo e fundit e lejoi pronarin e drogës të largohej nga vendi.