Cigaret e “falsifikuara” në Librazhd kontrabandohen në Afrikën e Veriut

Nga Alice Elizabeth Taylor
Cigaret e “falsifikuara” në Librazhd kontrabandohen në Afrikën e Veriut

Së fundmi, një investigim nga gazetarët investigativë të BIRN dhe të ARIJ (Gazetarët Arabë për Gazetari Investigative) ka zbuluar se në Librazhd prodhohen miliona paketa cigaresh që kontrabandohen më pas në tregun e Afrikës së Veriut.

Fabrika në periferi të qytetit punëson 50 punonjës, të cilët prodhojnë cigaret që mbajnë emrin Queen Cleopatra, sunduese së fundit ptolemeike të Egjiptit.

Marka e cigareve Queen Cleopatra është prodhuar fillimisht në Egjipt dhe sot ka një përhapje të gjerë jo vetëm në vendet përreth, por është edhe një ndër markat me shitjet më të mëdha në botë.

Dokumente të gjyqësorit shqiptar dhe të autoriteteve doganore britanike tregojnë se nga viti 2014 e në vijim rreth 22 milionë paketa cigaresh kontrabandë kanë udhëtuar nga fabrika e kompanisë Albania Tabak në Librazhd drejt qytetit të Elbasanit, nga ku kanë përfunduar në Libi. Kjo çështje është hetuar në vitin 2015 nga prokuroria shqiptare, e cila i pezulloi hetimet, në pritje të informacioneve nga juridiksionet e huaja. Prokurorët shqiptarë thonë se çështja është rihapur në vitin 2017, por, pa u ndëshkuar ndonjëherë, fabrika ndërkohë ka prodhuar dhe ende prodhon deri në 175 milionë paketa në vit, në bashkëpunim me kompaninë Eques Holding Group me bazë në Ishujt Virgjin të Britanisë, që janë një parajsë fiskale.

Personat e përfshirë në prodhim dhe kontrabandë janë nga Ballkani, Lindja e Mesme dhe nga Qiproja. Shumë prej tyre kanë lidhje me çështje të tjera kontrabande, por të përfshirë janë edhe të tjerë persona, emrat e të cilëve mbahen të fshehur nga kompanitë offshore që ka investiguar BIRN.

Investigimi i BIRN nxjerr në pah përfshirjen në këtë biznes shumë fitimprurës të gruas së një deputeti të Partisë Socialiste, megjithëse ajo këmbëngul se “nuk ishte në dijeni” për dyshimet për kontrabandë.

Menaxheri i fabrikës në Librazhd, Servet Dauti, i tha BIRN-it se ai thjesht prodhon cigare, dhe nuk ka përgjegjësinë apo detyrimin për ta ditur se ç’ndodh pasi ato largohen nga Shqipëria, pavarësisht se paketat mbajnë logon e markës Queen Cleopatra dhe shënimin “Prodhuar në Egjipt nga Eastern Company S.A.E”.

Cigaret janë eksportuar nga Durrësi drejt Libisë nga kompania Al Zain International Company.

Deri më sot, kompania Albania Tabak, Eques Holding Group, gruaja e deputetit socialist, apo qoftë edhe ndonjë person tjetër nuk janë përballur me ndonjë akuzë penale. Vlen të përmendet se pronari i fabrikës së kompanisë Albania Tabak është Ilir Jashari, i cili në vitin 2010 është dënuar në Itali me 15 vjet burg për trafik lëndësh narkotike. Ai ka nisur vuajtjen e dënimit në vitin 2014, pas arrestimit, dhe në vitin 2016 është transferuar në një burg në Shqipëri, nga ku është liruar në vitin 2017.

Më 12 dhjetor, pak përpara botimit të investigimit të BIRN, prokurorja e çështjes për prodhimin e cigareve, Armanda Xhaferri, tha se hetimet nuk janë mbyllur dhe se po presin dokumente të tjera nga Egjipti.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>