Sali Berisha ka folur dje për herë të parë direkt që nga koha kur debati i brendshëm ka mbërthyer partinë më të madhe të opozitës në fund të majit. Në një pyll problemesh, që nga marrëveshja Rama – Basha, debati për listën e deputetëve të PD, fushatën që bëri Basha, humbjen e thellë dhe deri rikandidimin dhe kontestimin e tij, Berisha ka tentuar të mbajë një profil që shumë vetë e prisnin por që shumë të tjerë i ka befasuar: Berisha ka folur hapur! Ai ka pasur një target, militantët dhe mbështetësit e PD. Por padyshim ka lënë të befasuar të gjithë ata që ende shpresojnë ta përfshijnë direkt në një debat të brendshëm të PD.
Ka shumë mënyra se si mund të lexohet intervista e Berishës dhe se si e shohin protagonistët dhe analistët atë, por pak a shumë, për mua, ajo mund të përmblidhet në këto pika:
E para, Berisha foli me autoritetin e njeriut më të rëndësishëm historik të PD. Një prej themeluesve të saj, drejtues për 21 vjet, njeriu që e mbajti në pushtet PD për 13 vjet dhe një shtetar i rëndësishëm shqiptar. Ai ishte dukshëm distant nga debatet shterpë të ditës edhe pse u duk sikur u përfshi brenda tyre.
E dyta, Berisha rikonfirmoi edhe një herë, por kësaj here më prerë, faktin që ambiciet e tij politike në PD dhe më tej, nuk e çojnë përtej të qenit një anëtar i përkushtuar i PD, por jo më një protagonist në garë.
E treta, Berisha tentoi të distancojë veten nga vendimmarrja e Bashës dje, por edhe nesër, duke përforcuar atë që e ka thënë shumë herë, por kësaj here e tha më prerë: në PD vendos Basha dhe ai vetë, ka mendimet e tij, që jo gjithnjë përkojnë me ato të Kryetarit. Por Berisha tentoi të sqarojë që asociimi i çdo vendimi të Bashës me Berishën është i gabuar dhe jo real.
E katërta, Berisha rikonfirmoi gabimet e Bashës, që edhe Basha vetë i kishte pranuar në një konferencë shtypi, qetësoi kontestuesit e tij brenda PD, duk ju dhënë disa herë të drejtë morale, por deklaroi se vendi dhe inverstimi i tyre është në PD. Ai tentoi të ndalë një çarje të mundshme të partisë, sado minore qoftë ajo. Pra ai deklaroi që është koha për bashkim dhe jo për ndarje.
E pesta, Berisha nuk e hapi, por e mbylli me qëndrimin e tij debatin e brendshëm në PD. Kushdo mund të mbajë qëndrimin e tij, por ai i Berishës ishte i qartë: Nuk do të jetë në krah të askujt, por aq më pak, do të mbështesë kontestime dhe çarje të partisë.
Një prej figurave të rëndësishme të gjithë lindjes ish komuniste, një prej politikanëve me jetëgjatë në Ballkan, Berisha duket se ka vendosur të mbajë qëndrimin e politikanit që i ka varur tashmë pas dere ambiciet e tij politike, por që nuk largohet asnjë sekondë godina që ngriti 27 vite të shkuara.