Në 19 qershor, Parlamenti Europian ndryshoi rezolutën për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe përfshiu në të 15 kushte që vendi duhet t’i ketë plotësuar para mbajtjes së Konferencës së Parë Ndërqeveritare.
Kjo konferencë, e cila përcakton fillimin në praktikë të negociatave Shqipëri-BE, parashikohet të mbahet në tremujorin e parë të vitit 2021.
Exit News sjell më poshtë në mënyrë të përmbledhur, 15 kushtet që vendi duhet të përmbushë:
1- Miratimi i reformës zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR
2- Financim transparent i partive politike dhe i fushatave elektorale, duke siguruar zbatimin e vazhdueshëm të reformës në drejtësi, përfshirë funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, duke marrë në konsideratë, ekspertizën ndërkombëtare, përfshirë opinionin e Komisionit të Venecias.
3- Finalizimi i ngritjes së strukturave të specializuara kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
4-Forcimi më tej i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
5- Trajtimi i fenomenit të azilkërkimit të pabazë dhe riatdhesimet.
6- Rishikimi i Ligjit të Medias në linjë me rekomandimet e Komisionit të Venecias
7- Nisja e procedimeve penale kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk e kanë kaluar vetingun
8- Nisja e procedimeve penale kundër atyre që janë akuzuar për blerjen e votës.
9- Prova të vazhdueshme në lidhje me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, përfshirë nisjen e procedimeve kundër zyrtarëve të lartë publikë dhe politikanëve.
10- Progres i prekshëm, në lidhje me reformën në administratën publike
11- Zbatimi i reformës zgjedhore
12- Vendim final për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit 2019.
13- Progres i mëtejshëm për zbatimin e ligjit për mbrojtjen e minoriteteve.
14- Miratimi i ligjit për censusin e popullatës në përputhje me rekomandimet e Këshillit të Europës
15- Avancimi me procesin e regjistrimit të pronave.