Cinnamon Rolls për pasditen e së dielës

Nga Exit News
Cinnamon Rolls për pasditen e së dielës

Roletë me kanellë (cinnamon rolls) janë një nga ëmbëlsirat që mund t’i gatuani dhe shijoni gjatë pasditës të së dielës me një kafe ose çaj. Roletë me kanellë mendohet që kanë origjinën nga Suedia.

Rreth mesit të viteve 1700, furrtarët e Evropës Veriore filluan të gatuajnë brumëra me shumë maja dhe me gjalpë. Francezët filluan të gatuanin bukë role, më pas holandezët filluan t’i skuqnin ato. Gjermanët shpikën schnecken, një simite mbështjellë me sheqer dhe rrush pa fara. Suedezët më pas, i shtuan kanellë brumit role, duke krijuar roletë me kanellë.

Exit sjell më poshtë recetën e cinnamon rolls.

Përbërësit

  1. 475 ml qumësht
  2. 115 gr gjalpë i shkrirë
  3. 100 gr sheqer
  4. 1 paketë e vogël maja
  5. 560 gr miell
  6. 1 lugë çaji pluhur pjekjeje (baking powder)
  7. 2 lugë çaji kripë
  8. 100 gr miell (hidhet dy herë)
  9. 170 gr gjalpë i butë për t’u përhapur
  10. 165 gr sheqer kaf
  11. 2 lugë gjelle kanellë

Për kremin

  1. 113 gr krem djathi
  2. 2 lugë gjelle gjalpë i shkrirë
  3. 2 lugë gjelle qumësht
  4. 1 lugë çaji ekstrakt vanilje
  5. 160 gr sheqer pluhur

Përgatitja

Në një tas hidhni qumështin, gjalpin e shkrirë dhe sheqerin dhe përziejini bashkë. Hidhni mbi përzierjen majanë dhe lëreni mënjanë për 1 minutë.

Shtoni 560 gr miell dhe përziejini derisa të bëhet brum, për ta mbuluar më pas me peshqir dhe lënë mënjanë për 1 orë, që të fryhet.

Hidhni pluhurin e pjekjes dhe kripën, shtoni edhe 100 gr miell, dhe përziejini sërish. Vëreni brumin në një sipërfaqe të bërë me miell dhe shtrojeni me petës në formë drejtkëndore.

Përhapeni gjalpin e butë mbi brumin drejtkëndor, në të gjithë sipërfaqen e tij, dhe spërkatni sheqerin kaf dhe kanellën mbi të për ta mbuluar të gjithë brumin.

Kapni anën më të gjatë të brumit dhe nisni ta rrotulloni, për të krijuar një role, të cilin do ta ndani për të krijuar cinnamon rolls.

Mos e ndani me thikë, pasi do ta shtypni formën rrethore të tyre, por përdorni fill (edhe dentar madje), duke mbledhur me të brumin si në foton e mëposhtme dhe priteni në trashësi rreth 3.5-4 cm, ose sipas dëshirës tuaj. Filli është më i butë dhe nuk e shtyp brumin, por gjithsesi mund ta provoni edhe me thikë. Rregullojeni formën pasi ta keni prerë.

Vërini cinnamon rolls-at në tavë, mbulojini me letër plastike dhe lërini të rrinë për 30 minuta.
Ndërkohë, përgatisni kremin që hidhet sipër tyre. Në një tas, hidhni kremin e djathit, gjalpin e shkrirë, qumështin dhe vaniljen dhe përziejini të gjithë bashkë mirë. Shtoni dhe sheqerin pluhur dhe përziejini sërish.

Futini në furrë me 180 gradë për rreth 25-30 minuta, derisa të piqen mirë. Mund t’i shijoni cinnamon rolls me kafe ose çaj.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>