Çmenduria e PPP-ve nuk ka të sosur

Nga Johannes Estrada
Çmenduria e PPP-ve nuk ka të sosur

Buxheti i vitit 2017 tregon se qeveria nuk rresht së menduari për skema të reja Partneriteti Publik-Privat (PPP). Ministria e Shëndetësisë ka planifikuar një skemë të re PPP për laboratorët, e cila është unike në llojin e vet edhe po ta krahasosh me vendet e zhvilluara.

Por kjo nuk është hera e parë që PPP-të në fushën e shëndetësisë bëhen objekt hetimesh nga ana e gazetarëve. Ato tashmë janë bërë të rëndomta aq sa kanë detyruar edhe Prokurorinë e Përgjithshme të deklarojë në të shkuarën se do të fillojë hetimet, megjithëse produkti i tyre është ende i paqartë.

Së fundmi, këto skema po fillojnë të përdoren edhe nga bashkitë e vendit për shërbime nga më të ndryshmet. ku përfshihen mbledhja e mbetjeve urbane, menaxhimi i parkimeve etj. Ashtu si në rastin e PPP-ve në fushën e shëndetësisë, edhe këto skema nuk kanë përfitim të qartë për qytetarët e në fakt duket se janë thjesht privatizime të fshehta e korruptive, siç e kemi shpjeguar dhe më parë.

Dje, Kryebashkiaku i Tiranës deklaroi publikisht se do të ndërmarrë një skemë PPP-je për ndërtimin e shkollave. Siç ndodh tashmë rëndom me këtë qeveri, deklaratat bombastike nuk shoqërohen me transparencë në vendimmarrje. Jo vetëm që vendimi në fjalë nuk është akoma publik,  por edhe lajmi në faqen online të Bashkisë është hequr.

Gjatë shpjegimit të nismës, Kryetari i Bashkisë Veliaj ka deklaruar se:

Pra kur shkollat ndërtohen nga privati, por bashkia në pamundësi për t’i bërë pagesat menjëherë i skedulon këto sigurisht dhe një normë interesi që i bën bizneset të tërhiqen ndaj këtij lloj bashkëpunimi.

Nga ky shpjegim i Zotit Veliaj nuk kuptohet aspak se çfarë nënkupton kjo nismë. Investimet publike në vend e kudo në botë bëhen pikërisht duke marrë borxh publik, i cili paguhet me interes ndaj publikut për një periudhë të gjatë kohore. Ky lloj borxhi në fakt është më i lirë se kurrë për shtetin shqiptar aktualisht pasi normat e interesit janë në nivelet me të ulëta historike. I vetmi ndryshim që mund të kuptohet nga deklarata e Zotit Veliaj është se interesi i borxhit nuk do i paguhet publikut, por biznesit privat.

Kësisoj edhe Bashkia e Tiranës tashmë po fillon të aplikojë skema të cilat kanë përfitime të paqarta për publikun, e që me shumë gjasa nënkuptojnë një fitim të veçantë për kompanitë fituese. Megjithëse duhet të presim më gjatë për të kuptuar detajet teknike të nismës, që Zoti Veliaj deklaron se është aprovuar nga qeveria megjithëse nuk ekziston asnjë dokument publik për këtë gjë, është e qartë se edhe në këtë rast skemat e PPP-ve ekzotike do jenë barrë mbi publikun e aspak në favor të tij.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>