Një këshilltar shkencor i qeverisë britanike ka thënë se Covid nuk ka gjasa të zhduket plotësisht sepse nuk ka vaksinë që është 95% mbrojtëse kundër infeksionit.
Profesor Andrew Hayward, i institutit të epidemiologjisë dhe kujdesit shëndetësor në University College në Londër, tha për BBC Radio 4 se Covid ka të ngjarë të vazhdojë të pësojë mutacione, që do të thotë se imuniteti i vërtetë i tufës nuk ka gjasa të ndodhë.
“Unë mendoj se natyra e këtij infeksioni dhe natyra e vaksinave janë të tilla që niveli i imunitetit që arrihet nuk është i mjaftueshëm për të konsideruar imunitetin e tufës”, tha Hayward.
Sipas profesorit për të zhdukur përfundimisht COVID-19 duhet që vaksinat të garantojnë 95% mbrojtje jo vetëm ndaj sëmundjes me simptoma të rënda por edhe ndaj infektimit.
“Duhet të mësohemi me konceptin se kjo do të bëhet ajo që ne e quajmë një sëmundje endemike dhe jo një sëmundje pandemike. Një sëmundje që është me ne gjatë gjithë kohës – ndoshta do të transmetohet sezonalisht si gripi ku ne shohim shpërthime gjatë dimrit.”, shtoi ai.
Paralajmërimi i Hayward vjen një ditë pasi kolegu i tij në Oxford, profesor Andrew Pollard u tha deputetëve në parlament se fakti që vaksinat nuk ndaluan përhapjen e Covid nënkupton se arritja e pragut për imunitet tufe është një mit.