Gjatë dy javëve të fundit, autoritetet shqiptare kanë nisur vaksinimin antigripit sezonal për grupet e qytetarëve që konsiderohen ‘me rrezik të lartë’.
Qeveria pretendoi se do të përfshinte një strategji mbarëkombëtare të vaksinimit të gripit si pjesë e luftës së saj kundër COVID-19. Rastet e personave që vuajtën pasoja të rënda të gripit dhe përfunduan në spital, dy vitet e fundit kanë qenë të shumta, duke shkaktuar një barrë të madhe në spitale.
Në qershor, Komisioni Evropian rekomandoi që vendet të fillojnë programet e tyre të vaksinimit më herët këtë vit, për shkak të pandemisë. Fatkeqësisht, në Shqipëri, vaksinat e para nisën të bëheshin shumë më vonë se në shtetet e tjera.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha se qeveria rriti sasinë e vaksinave që do të sillte në Shqipëri në 368 mijë. Ajo pohoi se “personeli shëndetësor, mësuesit, edukatorët, të sëmurët kronikë, ata mbi 65 vjeç dhe fëmijët” do të merrnin vaksinat falas.
Faktoje.al shkroi, duke përdorur të dhëna nga INSTAT-i, FSDKSH-ja, Policia e Shtetit dhe autoritete të tjera, se në fakt ka 932,758 individë në vend që plotësojnë kriteret për tu vaksinuar falas. Ato përfshijnë 18, 415 personel shëndetësor, 420,036 të moshuar, 147,907 fëmijë nën katër vjeç, rreth 300,000 të sëmurë kronikë dhe më shumë se 34,000 mësues dhe edukatorë. Ka gjithashtu 12,000 policë të përfshirë në program.
Edhe nëse disa prej personave në këto kategori mbivendosen, për shembull, një person i moshuar ose edukator me një sëmundje kronike, është akoma e dukshme që ka mungesë të vaksinave.
Për më tepër, Vaxigrip – vaksina më e vlerësuar e gripit ende nuk është në dispozicion në treg që qytetarët ta blejnë vetë atë.
Në farmacitë në vend mund të gjehet vetëm një vaksinë antigripit, Influvac, e prodhuar nga kompania shqiptare Megapharma, e cila po shitet në zinxhirin e tyre të farmacive ‘Orange’.
Exit News u kontaktua nga një farmaciste e cila pretendoi që farmacisë së saj i ishte thënë se ata nuk mund të blinin vaksinën për ta shitur sepse nuk ishin pjesë e rrjetit Megapharma. Kjo do të thotë që ata që dëshirojnë të blejnë vaksinën dhe nuk janë pjesë e grupeve në rrezik, mund ta marrin atë vetëm në farmacitë e Megapharmas, tha ajo.
Exit News vizitoi 10 farmaci në qendër të Tiranës dhe pyeti stafin nëse kishin mundur të blinin Influvac. Tre thanë se nuk kishin interes ta blinin pasi do të prisnin për Vaxigrip-in, gjashtë thanë se nuk mundën ta blinin por nuk e dinin pse, dhe një tha se nuk kishte mundur ta blinin sepse nuk ishin pjesë e rrjetit të Megapharmas.
Exit kontaktoi Megapharma për informacion mbi vaksinën dhe vendin ku mund të blihet, por nuk ka marrë ende një përgjigje.
Ndërsa vaksina tjetër, Vaxigrip, prodhohet nga kompania ndërkombëtare farmaceutike Sanofi. Ajo ka dalë në treg prej të paktën dy muajsh, por akoma nuk është importuar në Shqipëri.
Exit News pyeti farmaci të ndryshme se kur do të mbërrinte dhe shumica thanë se shpresonin që do të furnizoheshin deri në fund të tetorit, por theksuan se nuk kishin asnjë njoftim zyrtar se kur vjen apo se përse nuk është importuar ende.
Kompania prodhuese Sanofi gjithashtu është kontaktuar për koment nga Exit Neës, nuk ka dhënë ende një përgjigje.
Në mesin e një pandemie globale dhe me sezonin e gripit në muajin e dytë, vaksinat e gripit nuk janë ende të disponueshme në Shqipëri. Mbetet ende e paqartë nëse shteti ka mjaftueshëm për të vaksinuar ata qytetarë që konsiderohen me rrezik të lartë dhe në nevojë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se midis 290 mijë dhe 650 mijë njerëz vdesin nga gripi çdo vit, përfshirë fëmijë dhe të rritur të shëndetshëm. Ndërsa vaksina nuk është 100 për qind efektive në parandalimin e merrjes së gripit, ajo ul ndjeshëm mundësinë e shtrimit në spital, komplikacionet ose shencet për të humbur jetën.