Ç’po ndodh në Maqedoni? – Exit shpjegon

Ç’po ndodh në Maqedoni? – Exit shpjegon

Të paktën 4 deputetë dhe më shumë se 77 policë e qytetarë janë plagosur dje gjatë përleshjeve në parlamentin e Maqedonisë, menjëherë pas zgjedhjes së deputetit shqiptar Talat Xhaferri si kryetar i Kuvendit me mbështetjen e partisë opozitare LSDM.

Përleshja në Kuvend

Në seancën e djeshme të kuvendit maqedonas, Partia LSDM e Zoran Zaev së bashku me partitë shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Lëvizja Besa, Aleanca për Shqiptarët, votuan me 67 vota deputetin Talat Xhaferri si kryetar të Kuvendit.

Votimi i Zotit Xhaferri – të parit shqiptar në këtë post – u cilësua si hap i parë drejt formimit të qeverisë së re nga koalicioni i Zaev me partitë shqiptare. Por, zgjedhja e tij shkaktoi zemërim të deputetëve të VMRO-DPMNE të ish-kryeministrit Nikola Gruevski. Deputetët nuk e lejuan Talat Xhaferrin të betohet si kryetari i ri i Kuvendit.

Situata e rënduar gjatë seancës shkaktoi reagimin e mbështetësve të VRMO-DPMNE që po protestonin jashtë kuvendit. Protestuesit, me maska në fytyrë, hynë brenda në kuvend dhe sulmuan kreun e LSDM Zaev dhe tre deputetë të tjera, mes të cilëve dhe deputetin shqiptar Zijadin Zela.

Protestuesit ushtruan dhunë dhe mbi gazetarët e policët që ndodheshin brenda sallës së kuvendit. Ndërhyrja me vonesë e policisë solli qetësimin e situatës dhe dërgimin e të plagosurve në spital.

Reagimet

Ish-Kryeministri Nikola Gruevski reagoi menjëherë pas qetësimit të situatës, duke i kërkuar mbështetësve të tij të largohen nga dhuna. Zoti Gruevski e quajti votimin e kreut të kuvendit “një përpjekje për grusht shteti”.

Ndërkohë Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini, si dhe Komisioneri europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Johannes Hahn njohën zgjedhjen e Talat Xhaferrit në krye të Kuvendit dhe dënuan dhunën e protestuesve.

Po ashtu, në një reagim zyrtar, Ambasada amerikane në Shkup njohu votimin e Talat Xhaferrit si kryetar i Kuvendit, duke theksuar se ai është vendimi i shumicës së deputetëve.

Ambasadorët e BE-së dhe SHBA-ve, menjëherë pas përplasjeve i bënë thirrje palëve për dialog dhe bashkëpunim për interesat e Maqedonisë.

Ministria e Jashtme e Shqipërisë, me anë të një deklarate, i bëri thirrje qytetarëve maqedonas të largohen nga dhuna. Kreu i Kuvendit Ilir Meta i kërkoi liderëve të dialogojnë, duke theksuar se stabiliteti i Maqedonisë është i rëndësishëm për të gjithë Ballkanin.

Kriza politike

Që prej dhjetorit të vitit 2016, kur u zhvilluan zgjedhjet parlamentare pas dorëheqjes së kryeministrit Gruevski, në Maqedoni nuk është formuar ende qeveria.

Asnjë prej dy partive të mëdha VRMO-DPMNE (51 deputetë) dhe LSDM (49 deputëtë) nuk arritën të fitonin shumicën e nevojshme prej 61 deputëtësh për të formuar të vetme qeverinë.

Partitë shqiptare, me në total 20 deputetë u bënë vendimtare për formimin e qeverisë së re.

Bisedimet mes VRMO-DPMNE dhe partive shqiptare dështuan. Përpara se të nisnin bisedimet për koalicion me Zoran Zaev të LSDM-së, liderët e partive shqiptare u mblodhën në Tiranë, së bashku me Kryeministrin Edi Rama dhe miratuan një marrëveshje që unifikonte qëndrimin e tyre për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni.

Pikërisht kjo marrëveshje e nënshkruar në Tiranë, u bë shkak që Presidenti Ivanov i mohoi dy herë radhazi të drejtën për formimin e qeverisë Zoran Zaev, i cili arriti të bashkohet me partitë shqiptare dhe të mbledhë 67 deputetë.

Presidenti Ivanon, në refuzim të koalicionit të Zaev, u shpreh se: “kushtetuta dhe ndërgjegja ime më ndalon të jap një mandat për këdo që shkatërron sovranitetin dhe integritetin e Maqedonisë.” Ai shtoi se Zoran Zaev duhet të jetë i pari që të refuzojë një “platformë që vjen nga një vend i huaj”.

Mes “Platformës së Tiranës”, votimit të kreut të Kuvendit dhe protestave të qytetarëve, ende nuk dihet nëse Zoran Zaev dhe partitë shqiptare do të arrijnë të formojnë qeverinë e re pas 4 muajsh të krizës së thelluar politike.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>