Daçiç sulmon Çitakun në OKB, SHBA-të bëjnë thirrje për mënjanim të ekstremizmave

Daçiç sulmon Çitakun në OKB, SHBA-të bëjnë thirrje për mënjanim të ekstremizmave

Përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë u përfshinë në një tjetër incident në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) ndërsa më herët Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin bërë thirrje që palët të linin menjëanë retorikën ekstremiste dhe të punonin për arritjen e paqes.

Në seancën e fundit të OKB-ës, Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku u sulmua verbalisht nga Ministri i Jashtëm i Serbisë Ivica Daçiç. Lajmi në fjalë u raportuar nga Zëri i Amerikës. Çitaku ishte ulur me përfaqësues britanikë dhe amerikanë me të cilët ajo po bisedonte kur thuhet se u ndërpre nga Daçiç me ofendime në gjuhën serbe.

20 vite pas bombardimeve të Serbisë nga NATO, që sollën dhe fundin e spastrimeve etnike në Kosovë, dy vendet vazhdojnë të kenë kontraste të forta për sa i përket marrëdhënieve mes tyre. Serbia vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës edhe pse kjo e fundit ka më tepër se 11 vite që gëzon sovranitet të njohur nga 115 shtete.

Agjencia franceze e lajmeve France 24 raportoi një deklaratë për shtyp të Shtëpisë së Bardhë që ishte lëshuar me rastin e 20-vjetorit të bombardimeve të NATO-s. Në të thuhet:

Ndërhyrja e NATO-s solli fundin e regjimit të Miloseviçit dhe fushatës së tij të spastrimit etnik, që shkaktoi mijëra të vdekur dhe miliona civilë të shpërngulur. Për të respektuar këto viktima, Kosova dhe Serbia duhet me patjetër t’i rikthehen rrugës që sjell një të ardhme të paqtë dhe me prosperitet për qytetarët e tyre. Kjo kërkon që ata të lënë menjëanë retorikën ekstremiste dhe revizionizmin historik.

Pas disa vitesh përpjekje për dialog – të ndërmjetësuar edhe nga Bashkimi Evropian – Kosova dhe Serbia i kanë ndërprerë ato muajt e fundit, ku nuk kanë munguar edhe përplasjet diplomatike mes të dyja vendeve. Kosova ka vënë taksë për produktet serbe dhe boshnjake ndërsa një operacion policor në veri tensionoi më tepër politikën teksa Serbia vuri në gatishmëri edhe ushtrinë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>