Dako, Arbana e Kokomani pranojnë bisedat me Avdylajn

Dako, Arbana e Kokomani pranojnë bisedat me Avdylajn

Kryebashkiaku i Durrësit Dako, Kryebashkiaku i Shijakut Kokomani dhe kandidati për bashkinë Shijak Elton Arbana pranuan se kanë biseduar me Astrit Avdylajn, kreun e bandës së Avdylajve, por u justifikuan me faktin se ata “flasin me të gjithë qytetarët.”

Disa orë pas bërjes publike të përgjimeve nga gazeta gjermane BILD, Dako, Kokomani dhe Arbana deklaruan për median se me Astrit Avdylajn kanë komunikuar në kohë fushatë, kur flasin dhe me shumë qytetarë të tjerë.

Kryetari i Bashkisë Durrës Vangjush Dako u shpreh:

“I pashë dhe i dëgjovë përgjimet. Për mua janë diçka absurde, sepse unë jam  kryetar bashkie dhe telefonin do t’ua hap çdo qytetari. Nuk kam asnjë koment. Kjo është çështje mediatike.”

Elton Arbana, kandidati i propozuar aktualisht nga PS për Bashkinë e Shijakut, në një prej përgjimeve flet me Astrit Avdylajn. Ky i fundit, i revoltuar, i kërkon Arbanës të telefonojë drejtorin e INUK-ut në Durrës dhe t’i thotë të mos vërë më gjoba në një fermë në Sukth. Arbana i thotë se do ta telefonojë drejtorin “direkt”.

Arbana nuk pranoi të flasë për bisedën shumë specifike që dëgjohet në përgjime, por tha se e ka për detyrë si kryetar i PS-së Shijak të flasë me çdo qytetar:

“I kam dëgjuar nga mediat përgjimet. Unë jam kryetar i Partisë Socialiste (Shijak) dhe si i tillë, kam komunikim në telefon me çdo qytetar të Shijakut. Kryetari i Partisë nuk ka asnjë akses në asnjë institucion. Bën detyrën administrative të partisë. Aq më pak që në kohën për të cilën flitet, unë nuk kam qenë as në marrëdhënie pune. Kam dy vite e gjysmë pa punë.”

Kryebashkiaku Kokomani — të cilit Astrit Avdylaj në një prej përgjimeve i kërkon të jetë i pranishëm në një takim me Dakon, ku do të flitej për të vënë emrin e Ilir Ndraxhit në listat e deputetëve të qarkut Durrës — tha se është i detyruar të marrë pjesë në takime të tilla, por mohoi të ketë takuar Avdylajn. Kokomani madje tha se për shkak se nuk ka pranuar të bashkëpunojë me Avdylajt bëri që PS të mos e rikandidojë më për bashkinë Shijak, por të propozojë Elton Arbanën në vend të tij.

Zoti Kokomani u shpreh:

 “Ju e kuptoni se nuk ka akses tek mua ai njeri. Ai më thotë se nesër kam takim me X dhe X dhe duhet të jesh dhe ti. Me drejtuesin e qarkut, me zotin Dako dhe deputetin e zonës unë jam i detyruar ta takoj ditë dhe natë.

Koha për të cilën behët fjalë në përgjime i përket periudhës së fushatës për zgjedhjet parlamentare të 2017-ës. Jam plotësisht i bindur dhe i sigurt që nuk kam marrë pjesë në takimin e kërkuar nga Astrit Avdyli në telefon. Fakti që unë nuk kam qenë palë e tyre më nxori jashtë rikandidimit të emrit tim për një mandat të dytë.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>