
Danimarka dhe Suedia kanë ndaluar përdorimin e vaksinës Covid-19, të Moderna-s të mërkurën, pas raportimeve për efekte të mundshme anësore.
Të dhënat e fundit tregojnë për një rritje të inflamacionit të muskulit të zemrës (miokardit) dhe inflamacionit të perikardit.
“Lidhja është veçanërisht e qartë kur bëhet fjalë për vaksinën Moderna, veçanërisht pas dozës së dytë”, tha agjencia shëndetësore e Suedisë në një deklaratë. Ajo shtoi se “rreziku për të pasur këto efekte është shumë i vogël”.
Në Suedi, ndalimi i vaksinës u bë për njerëzit e lindur nga viti 1991 e më vonë. Në Danimarkë, të gjithë njerëzit nën 18 vjeç nuk do të marrin më vaksinën Moderna, njoftoi agjencia shëndetësore. Në këtë grup nuk do të administrohet as doza e dytë e vaksinës.
Në fillim të kësaj jave, autoriteti suedez deklaroi se njerëzit midis moshës 12 dhe 15 vjeç do të merrnin vetëm vaksinën BioNtech/Pfizer.
Në maj 2021, vaksina BioNtech/Pfizer COVID-19 u miratua nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) për fëmijët mbi 12 vjeç.