Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Morgan Ortagus përgëzoi qeverinë shqiptare për dëbimin e 2 diplomatëve iranianë.
Përmes një postimi në Twitter, Ortagus theksoi se regjimi i Teheranit vazhdon të përdorë diplomacinë në vendet e Evropës si mbulim për të komplotuar terrorizmin.
“Përgëzojmë vendimin e qeverisë së Shqipërisë për të dëbuar dy të ashtëquajturit diplomatë të Iranit. Regjimi iranian vazhdon të përdorë strukturat diplomatike në Evropë dhe në vende të tjera si mbulim për të komplotuar sulme terroriste, si dhe për të kërcënuar dhe spiunuar iranianët që jetojnë jashtë Iranit”.
Më herët Senatori Marco Rubio u shpreh se dy diplomatët e dëbuar nuk ishin thjesht spiunë, por kontakte direkte të ish-gjeneralit Kasem Soleimani.
Që prej vitit 2016, pas strehimit të 3,000 anëtarëve të organizatës Mojahedin-e-Khalq (MEK), Shqipëria ka dëbuar 4 diplomatë iranianë. Dy të fundit u dëbuan më 15 janar.
MEK-u kundërshton regjimin e Teheranit dhe konsiderohet organizatë terroriste nga Irani dhe Iraku.
Në tetor 2019, policia shqiptare pretendoi se kishte zbuluar një “rrjet terrorist të drejtuar nga regjimi iranian”. Rrjeti i pretenduar përbëhej nga 4 shtetas iranian të cilët “kishin formuar një celulë aktive terroriste të Forcës Iraniane Quds, e cila është pjesë e Gardës Islamike Revolucionare të Iranit”.
Asnjë arrestim nuk u krye, por policia deklaroi se celula po planifikonte të kryente akte terroriste në mars 2019 gjatë festimeve të Novruzit, të cilat frekuentoheshin nga një pjesë e lartë e anëtarësisë së MEK-ut.