Departamenti i Shtetit ka përgëzuar njohjen e Kosovës nga Izraeli.
Përmes një postimi në Twitter, DASH e konsideron vendosjen e marrëdhënieve diplomatike si “ditë historike” dhe që ndihmon në promovimin e stabilitetit, paqes dhe prosperitetit për të dyja vendet.
“Shtetet e Bashkuara përgëzojnë Izraelin dhe Kosovën për zyrtarizmin e marrëdhënieve diplomatike. Dje ishte një ditë historike. Lidhjet më të thella ndërkombëtare ndihmojnë në promovimin e stabilitetit, paqes dhe prosperitetit në të dy vendet. Kur partnerët tanë janë të bashkuar, Shtetet e Bashkuara janë më të fuqishme. SHBA-të do të qëndrojnë përkrahë Kosovës në rrugëtimin e saj euroatlantik”
Të hënën, Izraeli ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe dy vendet kanë vendosur marrëdhënie diplomatike mes tyre.
Kosova ka vendosur të hapë ambasadën e saj në Jeruzalem dhe ambasadorja e parë e Kosovës do të jetë Ines Demiri.
I dërguari i Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, e ka cilësuar si historike zyrtarizmin e njohjes së Kosovës nga Izraeli.
Bashkimi Europian kritikoi vendimin e Kosovës për të hapur ambasadën e saj në Jeruzalem.
Edhe Serbia është shprehur e pakënaqur me marrëveshjen Izrael-Kosovë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se një akt i tillë “nuk do të ketë ndikim pozitiv në raportet e Serbisë me Izraelin”.