Të enjten debatohet në Kuvend programi qeverisës për katër vitet e ardhshme, si dhe prezantohet Këshilli i Ministrave.
Bazuar në një analizë të Portës Vendore, kemi radhitur disa prej premtimeve kryesore të qeverisë gjatë fushatës elektorale, që i parapriu zgjedhjeve të 25 prillit.
Kryeministri Rama e bazoi fushatën elektorale për zgjedhjet e 25 prill në dy premtime kryesore, rindërtimin dhe vaksinimin, të cilat lidhen me dy fatkeqësi që goditën vendin tonë: tërmetin e 26 nëntorit 2019 dhe pandeminë.
Premtimi më i bujshëm i kryeministrit ka qënë se “do të hapë portat e qiellit dhe të detit”, duke u referuar ndërtimit të 3 aeroporteve të reja në Kukës, Vlorë e Sarandë, si dhe ndërtimit të 4 porteve të mëdha, atij të Durrësit, Vlorës, Sarandës dhe Shëngjinit. Këto investime madhore, sipas Ramës do të hapin vende të reja pune dhe do të sjellin zhvillim ekonomik.
Deri në fund të mandatit Rama synon të ul borxhin nën nivelin 60%, ndërkohë që ka premtuar 5000 € bështetje për çdo emigrant që kthehet të ngrejë një sipërmarrje në vend. Për sipërmarrjet e reja premtoi një fond mbështetës prej 10 milionë €.
Në bujqësi, qeveria premton mbështetje përmes skemave të ndihmës dhe naftës pa akcizë, orientimin e bujqësisë kah agro-turizmi si dhe 146 milionë € fonde nga IPARD-i.
Kryeministri premtoi në inagurimin ne Spitalit Memorial në Fier realizimin e autonomisë së spitaleve, sipas modelit turk këtë mandat.
Në Tiranë, Rama ka premtuar mbyljen në fund të 2022 të procesit të rindërtimit si dhe 4 institucione të reja arsimore; 9 pika sociale e kulturore e 5 sheshe publike me shërbime të reja: Sheshi i Teknologjisë, Sheshi i Muzeut, Sheshi Universitar, Sheshi Garibaldi dhe Sheshi i Gastronomisë. Ndërkohë, ka nisur puna për ndërtimin e Kampusit të Universitetit Bujqësor për 2200 studentë.
Në Vlorë ai premtoi realizimin e rikonstruksionit të sheshit të Flamurit, ndërtimin e rrugës së lumit, ndërtimi i rrugës Peshkëpi-Selenicë; Orikum-Llogara si dhe tuneli i Llogarasë.
Për rrugën e Lumit Rama pretendoi se ishte projekt në zbatim qysh prej zotimit të parë për ndërtimin e saj në 2017. Po ashtu dy projektet e rrugëve Orikum-Llogara si dhe tuneli i Llogarasë janë përsëritur si premtime disa herë që prej 2017.
Qeveria premtoi ndërtimin e Lungogjolit në Pogradec dhe restaurimin në Berat të godinave monumentale, për të cilat aludoi se do të viheshin në dispozicion të Start-upeve, me kalimin e ligjit të ri.
Në Lezhë socialistët u zotuan të ndërtojnë Portin e Shëngjinit dhe akset Balldren-Milot-Fier, duke kaluar përmes Thumanës dhe Rrogozhinës, dhe aksin Milot-Muriqan.
Ndërkohë, në Dibër kryeministri premtoi përfundimin e Rrugës së Arbrit, premtim që mund ta gjurmojnë qysh në 2013, dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës.
Nga krahasimi i premtimeve të bëra kryesisht nga kryeministri Rama gjatë fushatës, me programin qeverisës për 4 vitet e ardhshme, bie në sy se mungojnë afatet kohore për realizimin e premtimeve.
Gjithashtu, programi qeverisës në pjesën më të madhe të tij është i mbushur nga pretendime propagandistike mbia rritjet e qeverisë mandatet e shkuara, për të cilat mungojnë referencat.