Kryebashkiaku Veliaj organizoi të martën e shkuar një, të ashtuquajtur, dëgjesë publike për planin e ri të zhvillimit të Tiranës. Plani është hartuar nga arkitekti, urbanisti dhe politikani Stefano Boeri, njeri i afërt i Kryeministrin Rama, i cili, në muajin janar, fitoi konkursin ndërkombëtar të organizuar nga qeveria shqiptare.
Në një njoftim në Facebook, Bashkia Tiranë e quante aktivitetin “takim me arkitektë, urbanistë, ekonomistë, punonjës socialë, planifikues urban, studentë, profesorë dhe qytetarë do të mblidhen për të diskutuar dhe debatuar mbi Vizionin dhe Strategjinë për Planin e Përgjithshëm Vendor të Tiranës.” Ndërsa Stefano Boeri në faqen e tij e quante aktivitetin “paraqitjen e parë të Mastërplanit të ri” të Tiranës.
Çfarëdo që të ishte tema, është e arsyeshme të pritej që një dëgjesë publike të plotësonte disa kushte minimale për të siguruar pjesëmarrje të vërtetë dhe produktive të publikut. Organizimi i një dëgjese kërkon të paktën: a) bërjen publike, në mënyrë lehtësisht të artishme nga publiku, të dokumentave për të cilët do bëhet dëgjesa publike, dhe dhënien kohë të mjaftueshme për studimin e këtyre dokumenteve dhe reflektimin mbi to; b) njoftimin, të paktën, disa ditë në mos disa javë përpara datës së caktuar për dëgjesën, dhe në atë mënyrë e mjete që sigurojnë mbulimin sa më të madh të mundshëm të publikut të synuar; dhe së fundmi, zhvillimin e takimit në atë mënyrë që pjesëmarrësit të kenë të gjitha mundësitë të shprehen lirshëm dhe haptazi dhe kritikat apo kërkesat e tyre të mbahen shënim për t’u konsideruar e vlerësuar më vonë.
Por dëgjesa publike për planin e Tiranës nuk plotësoi as minimalisht ndonjë nga këto kritere.
Së pari, publiku nuk u njoftua për dëgjesën publike. Njoftimi për dëgjesën u publikua vetëm në faqen në Facebook Tirana030, faqe e cila është e paverifikuar zyrtarisht dhe ka vetëm rreth 1 500 ndjekës. Edhe ky njoftim u bë në orën 15:54 të datës 20 qershor, ndërkohë që konsultimi do të zhvillohej në datën 21 qershor në orën 10:00.
Vetë Kryebashkiaku Veliaj nuk e postoi “ftesën” në faqen e tij në Facebook, e cila është faqe e verifikuar dhe me rreth 330 mijë ndjekës—harresë e çuditshme kjo kur është fakt se Zoti Veliaj poston në faqen e tij edhe gjërat më të parëndësishme, deri tek fotot për nisjen në punë të turnit të natës nga pastruesit e rrugëve.
Njoftimi për dëgjesën publike nuk u njoftua as në faqen zyrtare në rrjet të Bashkisë Tiranë, as në faqen zyrtare në rrjet dedikuar masterplanit (www.tirana030.com).
Njoftim nuk u bë as në mediat publike, në të cilat Bashkia Tiranë nuk harron kurrë të njoftojë me bombardim as për koncertet dhe mbrëmjet me birrë e qofte që organizon aq shpesh në rrugë e sheshe.
Së dyti, asnjë dokument i planit (apo vizionit të planit) nuk u bë publik jo vetëm paraprakisht, por akoma edhe sot. Në faqen e Bashkisë nuk është publikuar asgjë, ndërsa faqja në rrjet dedikuar planit ka disa ditë që është jashtë shërbimit dhe nuk gjen dot më as informacionin e vjetër.
Kështu, Bashkia Tiranë i ftoi qytetarët të diskutonin, kritikonin apo jepnin sugjerime për një plan për të cilin nuk kishin asnjë informacion. Më vonë u bë e qartë, se kjo qasje ishte e qëllimshme: ekspertët, specialistët e publiku i zakonshëm duhet të mbahen të painformuar që të mos bëjnë vërejtje për një plan që në fakt Kryeministri Rama e Kryebashkiaku Veliaj do ta bëjnë në funksion të interesave të tyre dhe jo të publikut.
Për këtë qëllim, edhe gjatë “dëgjesës”, Bashkia zgjodhi të bënte disa prezantime të përgjithshme dhe sipërfaqsore, pa ndarë elementët konkret apo përmbajtjen e mirëfilltë të planit me të pranishmit.
As gjatë konsultës, të pranishmëve nuk ju dha asnjë dokument i planit. Në mënyrë ofenduese, sidomos për ekspertët e pranishëm në sallë, i vetmi material që iu shpërnda të pranishmëve ishte një fletëpalosje pak më e madh se një fletë A4, e titulluar Tirana: a kaleidoscopic metropolis, e cila përmbante disa parrulla të përgjithshme apo ndoshta tituj të kapitujve të planit, por gjithsesi pa asnjë domethënie konkrete. Si për ta bërë më qesharake, fletëpalosja përveçse ishte në gjuhën angleze, në një cep të saj kishte shpjegimin në anglisht të fjalës anglisht “kaleidoscopic”— a thua se shpjegimi fjaloresk i një fjale mbulon mungesën e informacionit.
Të pranishëm në “konsultë” ishin rreth 100 persona, shumica e të cilëve ishin punonjës dhe funksionarë të Bashkisë Tiranë dhe zyrtarë ministrish e institucionesh të tjera pulike.
Fillimisht të ftuarit dëgjuan fjalimet me frymë politiko-romantike të Kryebashkiakut Veliaj dhe arkitektit e politikanit Stefano Boeri. Pas tyre ishtë parashikuar një seancë pyetje-përgjigje me Zotin Boeri, por Bashkia vendosi që seanca e pyetjeve të zëvendësohej me një pushim kafeje.
Pastaj u zhvillua seanca e diskutimeve. të cilat ishin organizuar në tryeza të vogla, të veçanta sipas temave. Në çdo tryezë, ku ishin ulur 7-10 persona ishin të pranishëm minimalisht 2-3 punonjës të Bashkisë, të cilët më tepër se të dëgjonin dhe mbanin shënime rreth komenteve dhe sugjerimeve orientonin bisedën atje ku i interesonte Bashkisë dhe më së shumti jepnin shpjegime propagandistike.
Punonjësit e Bashkisë kishin një kopje të dokumentave të përgatitura nga Boeri, por ato i mbanin të shtrënguara pranë vetes pa i ndarë asnjë moment me të pranishmit.
Pas seancës së diskutimeve ishte parashikuar sërish një seancë me praninë e Zotit Veliaj, por ai nuk u paraqit më.
Kështu përfundi ajo që u quajt “dëgjesa” e parë publike për masterplanin e Tiranës. Edhe pas saj publiku nuk ka asnjë ide se çfarë përmban plani i ri për Tiranën, ndërkohë që plani nuk ekziston i publikuar askund ende. Dëgjesa ishte organizuar vetëm për të pretenduar sikur, por jo për të informuar.
Duhet thënë që dëgjesat publike për të gjitha dokumentet, strategjitë apo programet që mund të sjellin ndikime në mjedis janë të rregulluara me ligj (shih këtu). Veprimet e Bashkisë Tiranë përveçse të pandershme para publikut janë, gjithshtu, në shkelje të ligjit. Dhe ky nuk është rasti i parë: Bashkia Tiranë ka shkelur çdo lloj ligji për vlerësimin e ndikimit në mjedis dhe për informimin e përfshirjen e publikut në vendim-marrje në çdo projekt të sajin, pa asnjë përjashtim.