Shumica socialiste do të diskutojë nesër në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese dekretin e presidentit Meta për ligjin special për Teatrin Kombëtar të datës 11 tetor, që i hap rrugë prishjes së teatrit dhe rizhvillimit të zonës me kulla.
Njoftimin e ka bërë kryetari i Komisionit Eduart Shalsi, i cili lajmëroi anëtarët e komisionit:
“Ju bëj me dije se nesër (e enjte) në orën 9 do të shqyrtojmë dekretin e presidentit për Teatrin.”
Me shumë gjasa, deputetët socialistë në komision do të rrëzojnë dekretin e Metës dhe do ta ridërgojnë ligjin për Teatrin për rivotim në seancën plenare. Pas diskutimit në komision, në kuvend ligji miratohet me 71 vota, të cilat shumica socialiste i ka.
Historiku i ligjit për Teatrin Kombëtar
Më 5 korrik 2018, Ligji special i teatrit u miratua në Kuvend vetëm me votat e mazhorancës. Ligji e kalonte tokën publike të Teatrit Kombëtar tek kompania private Fusha shpk, për ndërtimin e teatrit të ri dhe ndërtimin e 6 kullave rreth tij.
Më 27 korrik, Presidenti Meta nuk e dekretoi këtë ligj, duke e kthyer atë sërish në kuvend.
Në dekretin e 27 korrikut, Presidenti renditi nëntë shkelje mes të cilave më kryesoret ishin se ligji bie ndesh me Kushtetutën, konventat evropiane, parimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) për konkurrueshmërinë dhe parimet e ndarjes së pushteteve.
Ligji u kthye për diskutim në komision, ku shumica socialiste, në mënyrë të paprecedentë dhe të paligjshme, e miratoi dekretin e Presidentit —që praktikisht e rrëzon ligjin duke pranuar vërejtjet e tij, ndër të tjera për antikushtetueshmëri—dhe po aty për aty, brenda pak minutash, bënë amendime të ligjit, pa ja nënshtruar ato asnjë debati dhe procedure normale parlamentare.
Më 20 shtator, shumica socialiste miratoi sërish në kuvend ligjin e ‘ndryshuar’.
Më 11 tetor, Presidenti Meta, nuk e dekretoi për herë të dytë ligjin për Teatrin. Presidenti Meta nuk i miratoi ndryshimet e bëra nga shumica socialiste duke sqaruar se shumica socialiste nuk ka zgjidhur asnjë prej shkeljeve të Kushtetutës dhe parimeve demokratike që presidenti ngriti në korrik, kur nuk e dekretoi ligjin për herë të parë.
Nga nëntë shkelje që Presidenti Meta nxorri në pah nga ligji i parë për Teatrin, shumica socialiste është përpjekur që të plotësojë vetëm një prej tyre, që kishte të bënte me trajtimin preferencial dhe jo të barabartë të një subjekti privat, por sërish edhe me ligjin e ri kjo çështje nuk është zgjidhur.