Gjykata e Durrësit ka vendosur sot lehtësimin e masës së sigurisë nga ‘arrest me burg’ në ‘detyrim paraqitje’ për Saimir Gjepalin, pjesë e bandës së vëllezërve Avdyli në Shijak, të akuzuar ndër të tjera dhe për laboratorin e heroinës në Has.
Vendimi u mor nga gjyqtari Vladimir Skënderi.
Në 21 maj 2020, Gjepali dhe anëtarët e tjerë të bandës Hajri Seferi, Astrit Avdyli, Altin Avdyli, të cilët ishte në paraburgim në burgun 313, u përplasën me gardianët e burgut.
Përplasja ndodhi pasi gjatë një kontrolli të befasishëm në qelinë e bandës Avdyli u gjet një celular.
Gjatë përplasjes, një prej të arrestuarve i drejtuar gardianëve me kërcënimin:”Për 10 ditë unë jam jashtë! Mbaje mend fytyrën time! Do të takohemi”.
Pas kësaj ngjarjeje, drejtori i përgjithshëm i burgjeve i kërkoi gjykatës izolimin e grupit, por kërkesa u rrëzua me argumentin e prokurorit Ervin Karanxha se ndaj tyre kishte një masë izolimi.