Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë takohen në Bruksel mes mosdakordësive për temat

Nga Exit News
Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë takohen në Bruksel mes mosdakordësive për temat

Të mërkurën zhvillohet takimi i përbashkët në Bruksel i delegacionit të Kosovës dhe Serbisë me të dërguarin e posaçëm të BE-së, Mirosllav Lajçak por palët kanë mosdakordësi për temat rendit të ditës dhe pjesmarrësit në takim.

Në takimin e të martës të delegacionit kosovar dhe përfaqësuesve të BE-së është diskutuar për temën e të pagjeturve, energjetikës, targave të makinave dhe për vizitat zyrtare, pasi Kosova ndaloi hyrjen e shefit të delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviç.

Qeveria e argumentoi këtë vendim duke thënë se Petkoviç ka bërë deklarata provokuese gjatë tri vizitave të fundit.

Sipas kryesuesit të delegacionit të Kosovës, Besnik Bislimi, Kosova do të përdorë parimin e reciprocitetit për marrëveshjen e targave të automjeteve.

Delegacioni i Serbisë insiston që të diskutohet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, gjë që qeveria e Prishtinës e ka përjashtuar si mundësi vazhdimisht. Tema të tjera për të cilët delegacioni i Beogradit kërkon të bisedojë është ajo e vizitave zyrtare dhe çështja e të zhdukurve gjatë luftës ndërkohë që ka përjashtuar diskutimin për Marrëveshjen gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve.

Megjithëse për çështjen e të zhdukurve ka dakordësi në parim, Kosova nuk pranon të ulet në tryezë me Velko Odalloviç për këtë temë. Sipas qeverisë së Kosovës Odalloviq ka qenë personi kryesor i regjimit të Slobodan Millosheviqit në Kosovë dhe ai duhet të merret në pyetje për personat e zhdukur dhe jo të jetë pjesë e një komisioni për të zhdukurit.

Takimi i së mërkurës pritet ti paraprijë një takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç në fund të shtatorit.

Takimi i fundit mes tyre është zhvilluar më 19 korrik, por ai nuk prodhoi ndonjë rezultat dhe palët akuzuan njëra tjetrën se nuk kanë vullnet për dialog.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>