Delegacioni i BE-së kundër skemës së Ramës për shitjen e pasaportave

Nga Stafi i Exit
Delegacioni i BE-së kundër skemës së Ramës për shitjen e pasaportave

Në përgjigje të pyetjeve të Exit News, Delegacioni i BE-së sqaroi se “Komisioni Evropian e ka nxitur Shqipërinë që ta mendojë nëse do t’ia vlente përdorimi i një skeme për dhënien e shtetësisë investitorëve, me gjithë rreziqet që kjo skemë ka në vetvete.”

Ata, gjithashtu, deklaruan se çdo dështim i qeverisë shqiptare për t’u garantuar se ka bërë kontrollet e duhura të sigurisë dhe të së shkuarës së personave që u jep pasaporta, do të rezultojë në “arsye për të rikthyer kërkesat për viza”. Delgacioni theksoi se ata do të monitorojnë ndikimin e skemës në kuadër të mekanizmit të pezullimit të vizave, raporti i tretë i të cilit pritet të botohet së shpejti.

Delegacioni i BE-së deklaroi se ata dhe Komisioni i kanë “ndarë në disa raste qëndrimin dhe komentet e veta me autoritetet shqiptare”. Pavarësisht kësaj, Rama ka thënë se ai do ta zbatojë planin e tij.

Në përgjigjen e tyre, zëdhënësi i Delegacionit tha se “skema e shtetësisë së investitorë paraqet rreziqe për sa i përket sigurisë, pastrimit të parave, shmangies së taksave, financimit të terrorizmit, korrupsionit dhe depërtimit të krimit të organizuar.”

Ata shtuan se skemat që lejojnë të anashkalohen procedurat e rregullta për marrjen e vizës Shengen nga shtetasit e vendeve të treta mund të rezultojnë në “rreziqe të sigurisë” dhe “shmnagie të masave për të parandaluar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.”

Në një aktivitet të organizuar nga kompania Henley & Partners në Londër  muajin e kaluar,  kryeministri Rama pohoi se ishte në dijeni të rreziqeve të kësaj skeme dhe se BE dhe KE nuk do ta miratonin veprimin e qeverisë, por që ai do ta zbatonte skemën gjithsesi. Marrja e një pasaporte shqiptare do t’i lejonte mbajtësit të lëvizte lirshëm në Zonën Shengen pa pasur nevojë për vizë.

Në vendet e tjera që kanë skema të ngjashme, kombësitë më të zakonshme që aplikojnë për pasaporta të dyta apo edhe të treta janë rusët, kinezët dhe shtetas nga Lindja e Mesme.

Javën e kaluar, Komisionerja Evropiane për Drejtësi Vera Jurova tha për Exit se qeveria shqiptare duhet të mos ndërmarrë hapa që do të rrezikonin aspiratat e Shqipërisë për në BE. Ajo më parë ka bërë thirrje që skemat për nënshtetësi përmes investimit të ndalohen në të gjithë Bashkimin Evropian.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>