Dembelë apo të papunë? — Një leksion i nivelit të gjimnazit për Kryeministrin nga një ekonomist dembel

Nga Johannes Estrada
Dembelë apo të papunë? — Një leksion i nivelit të gjimnazit për Kryeministrin nga një ekonomist dembel

Prej disa kohësh tashmë, Kryeministri i vendit dhe kabineti i tij janë angazhuar në krijimin e një “teorie” ekonomiko-sociale për të shpjeguar problemet që po kalon vendi. Sipas teorisë qeveritare, problemet tona social-ekonomike shpjegohen qartë e thjeshtë nga një deformim i thellë kulturoro-psikologjik i yni, e që nënkupton se ne jemi popull dembel.

Javët e fundit kjo teori është përqëndruar në tezën kryeministrore se “në Shqipëri ka punë, por nuk ka punëtorë!” që do të thotë se papunësia vjen nga mos dëshira për punë apo mungesa e aftësive të nevojshme për tregun e punës.

Ky shpjegim nuk është i rastësishëm. Komentatorë të informuar mbi çështjet ekonomike, sidomos në portalin Reporter.al, kanë vënë re prej kohësh disa anomali statistikore në të dhënat e tregut të punës në vend. Kryesori ndër to është fakti që megjithëse pretendohet se është rritur numri i të punësuarve në vend, nuk është vërejtur një rritje respektive e kontributeve në fondin e pensioneve, ose siç njihet ndryshe fondi i sigurimeve shoqërore.

Mund të shkojmë akoma më tej duke vënë re një dukuri tjetër të çuditshme në vend. Megjithëse pretendohet se është rritur punësimi, shifrat e rritjes ekonomike janë mjaft anemike gjatë së njejtës periudhë.

Teoria ekonomike, në fakt, thotë se rritja e punësimit është një tregues që ndjek rritjen ekonomike. Sipas pretendimit të Kryeminstrit, Shqipëria po bëhet një rast i rrallë ku punësimi rritet por nuk rritet ekonomia. Akoma më tej, kjo rritje në punësim po ndodh me punëtorë jo-produktivë që nuk arrijnë të kontribuojnë me vlerë të shtuar në ekonomi.

Për të gjetur një përgjigje ndaj fakteve të pakëndshme statistikore, Qeveria po orvatet prej disa kohësh tashmë, të argumentojë se në vendin tonë ka vende pune, se bizneset duan të punësojnë njerëz të tjerë, por se fatkeqësisht shqiptarët janë ose dembelë, ose të pakualifikuar. Pas këtij pretendimi është rreshtuar jo vetëm Kryeministri, por edhe disa ministra të kabinetit të tij.

A mundet teoria ekonomike të na ofrojë një zgjidhje në lidhje me këtë dilemë? A kemi vërtetë vende pune të hapura, për aq kohë sa shqiptarët të jenë të gatshëm të punojnë?

Përgjigja është e thjeshtë dhe vjen përmes modelit themelor të ekonomisë, të vetmit që mund të quhet ligjësi e mirëfilltë: modelit të kërkesë-ofertës, i cili i mësohet çdo njeriu që në shkollë të mesme.

Ky model, apo ligj, thotë se nëse rritet kërkesa për një të mirë atëherë rritet dhe çmimi i saj, e anasjelltas nëse rritet oferta ulet çmimi i saj.

Puna është një e mirë e zakonshme, ndaj rritja e kërkesës për punë, pra për punonjës, si pasojë e vendeve të punës që qeveria thotë se janë hapur, duhet të sjellë një pasojë shumë të thjeshtë: rritjen e çmimit të punës. Ose e thënë ndryshe, rritje të pagave.

Si për çdo të mirë tjetër në treg, nëse punëdhënësit do ishin duke konkuruar për të tërhequr në bizneset e tyre ata pak punëtorë të kualifikuar dhe jo-dembelë, por edhe të shumëkërkuar tashmë që ekonomia qenka në ekspansion, kjo gjë do të çonte domosdoshmërisht në rritjen e pagës.

Në fakt, kjo dukuri vihet re, pa përjashtim, sa herë që ekonomitë janë në zgjerim—rritja e punësimit paraprihet, gjithmonë, nga rritje e pagave e cila pastaj tërheq në treg individët e papunë.

A mund të gjejmë nëse kemi parë rritje pagash në tërë ekonominë apo në sektorë të veçantë në Shqipëri?

Për këtë pyetje na vjen në ndihmë INSTAT, i cili ka disa të dhëna rreth ecurisë së pagave. Përgjigja e shkurtër është se në Shqipëri, rritja e pagave është minimale ose inekzistente. Ky fakt hedh poshtë teorinë se në treg ka vende pune që po presin punëtorë të rinj të kualifikuar.

Më konkretisht, të dhënat tregojnë se pas një rritje të ndjeshme në mesin e dekadës së shkuar, sidomos në sektorin e ndërtimit, në vitet e fundit pagat karakterizohen nga tendenca rënëse. Normat e ndryshimit variojnë nga sektori në sektor, por është e qartë se ecuria e pagave ka një trend të përbashkët. Analiza vështirësohet disi nga fakti se INSTAT nuk ka publikuar ende të dhënat se sektorit privat për vitin për 2015.

Fatmirësisht, një tregues përafrues është paga e sektorit shtetëror, për të cilën INSTAT ka publikuar të dhëna deri në 6-mujorin e parë të vitit 2015. Megjithëse pagat shtetërore përcaktohen nga vendime administrative, në çdo ekonomi ekziston një lidhje e fortë ndërmjet atyre dhe pagave private. Ashtu siç e theksuam më sipër, niveli i pagave në një ekonomi ndjek një trend të përbashkët. E kundërta do të sillte një zhvendosje të madhe të forcës punëtore nga sektori me paga më të ulëta drejt atij me paga më të mëdha. Gjatë viteve të shkuara, koralacioni ndërmjet pagave private dhe shtetërore arrin vlerën 90 përqind, duke na provuar se zhvillimet ekonomike prekin në mënyrë gati të njëtrajtshme nivelin total, ose agregat, të pagës në vend.

Gjatë vitit 2015, pagat në sektorin shtetëror janë rritur mesatarisht me 2,17 përqind në vlerë nominale, pra nuk janë rritur fare në terma reale pasi inflacioni ka qenë rreth 2 përqind gjatë vitit të shkuar.

Mungesa e rritjes së pagave, si në sektorin privat ashtu edhe atë shtetëror, është treguesi kryesor se ekonomia jonë nuk po vuan nga mungesa e punëtorëve të kualifikuar, teksa bizneset janë gati të zgjerojnë aktivitetin e tyre e kësisoj po kërkojnë intensivisht punëtorë të rinj.

Përkundrazi, ekonomia jonë dukshëm po vuan nga mungesa e vendeve të punës. Treguesit e kredisë bankare, po ashtu, vazhdojnë të jenë anemikë, duke dëshmuar se bizneset nuk janë aspak në një fazë zgjerimi, siç pretendohet.

Duke përdorur vetëm të dhënat zyrtare të ekonomisë tonë dhe pak intuitë ekonomike, është e qartë se pretendimi i Kryeministrit për një treg pune “të uritur” për punëtorë nuk është aspak i vërtetë.

Nga ana tjetër, me përjashtimin e disa portaleve të pavarura të cilat janë shfaqur gjatë viteve të fundit, analiza ekonomike në vend lë mjaft për të dëshiruar, për aq sa një argument i tillë mund të vazhdojë të mbijetojë për muaj të tërë. Akoma më keq, ky argument tani po zë vend dhe në studiot televizive duke u marrë gati si i mirëqenë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>