Dëmet e tërmetit, sot mbahet në Bruksel Konferenca e Donatorëve

Dëmet e tërmetit, sot mbahet në Bruksel Konferenca e Donatorëve

Sot në Bruksel do të zhvillohet Konferenca e Donatorëve, për mbledhjen e fondeve për rindërtimin e Shqipërisë, dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Kjo konferencë që organizohet nga presidentja Ursula Von der Leyen dhe Komisioni Europian ka për qëllim mbështetjen për fazën e rindërtimit të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit në Shqipëri,” sqaroi Dana Spinant, zëdhënëse e KE-së.

Konferenca do të nisë në mesditë, fillimisht me nënshkrimin nga Kryeministri Rama dhe presidentja e KE-së Von Der Leyen të dokumentit për dhurimin e 15 milionë eurove nga vetë KE.

Më pas në orën 14:30 do të nisë konferenca ku do jenë dhe presidenti i Këshillit Europian Charles Michel dhe eurokomisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin Olivér Várhelyi dhe eurokomisioneri për Ndihmën Humanitare, Janez Lenarcic.

“Komisioneri Olivér Várhelyi do të hapë dhe mbyllë sesionin e angazhimeve të donatorëve në këtë konferencë, ndërkohë që komisioneri Janez Lenarcic do të prezantojë përgjigjjen e emergjencës që ka dhënë Bashkimi Europian për tërmetin në Shqipëri, si dhe  vlerësimin e nevojave lidhur me dëmet e tërmetit,” sqaroi zëdhënësja.

Në konference do të marrin pjesë edhe përfaqësues nga Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, shtete anëtare të Bashkimit Europian dhe shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Po ashtu, kryeministri kanadez Justin Trudeau ka konfirmuar pjesëmarrjen në konferencë.

Po ashtu, ministri i Jashtëm holandez Stef Blok ka konfirmuar se Holanda do të dhurojë 3 milionë euro për Shqipërinë.

Në përfundim të konferencës presidentja e KE-së Von der Leyen dhe kryeministri Edi Rama do të mbajnë një konferencë për shtyp.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>