Dekriminalizimi, 6 deputetë e 3 kryebashkiakë duhet të japin shenjat e gishtave

Dekriminalizimi, 6 deputetë e 3 kryebashkiakë duhet të japin shenjat e gishtave

Prokuroria kërkon shenjat e gishtave të 6 deputetëve dhe 3 kryebashkiakëve që janë në hetim në bazë të ligjit të dekriminalizimit. Ky organ u ka lënë 5 ditë kohë zyrtarëve që të paraqiten në Institutin e Policisë Shkencore për të dhënë shenjat e gishtave. Më pas ato do të krahasohen me të dhënat që disponon Prokuroria.

Deputetët nën hetim janë: Ymer Mamo e Aqif Rakipi nga PDIU, Mhill Fufi i përjashtuar nga PD, Artan Gaçi dhe Armando Prenga nga PS, Gledion Rehovica nga LSI. Në hetim janë dhe kryebashkiaku i Pogradecit, Eduard Kapri (PD), Tërmet Peçi (PS), kryebashkiaku i Tepelenës dhe Adriatik Zotkaj (PS), kryebashkiaku i Poliçanit.

KQZ në hetim

Prokuroria ka sekuestruar të gjitha dokumentacionet e KQZ-së përsa i përket procesit të dekriminalizimit. Kanë qenë disa oficerë të policisë gjyqësore që kanë bërë bllokimin e dokumentacionit në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Organi i akuzës po heton këtë institucion për disa shkelje. Në dokumentin që ka dorëzuar KQZ për formularin e vetëdeklarimit, nuk specifikohet përgjigjia e deputetit Armando Prenga, nëse ai ka qenë ndonjëherë i dënuar nga gjykata apo jo. Faktikisht ky deputet rezulton i dënuar në Itali për vjedhje pasurie e identitet të rremë.

Ndërkohë që për të ka dhe një dënim nga Gjykata e Kurbin për falsifikim dokumentash. Një tjetër akuzë që i është ngritur KQZ-së është dhe pranimi i dorëzimit të formularëve të dekriminalizimit përtej afateve të parashikuara nga ligji për një deputet dhe për dy kryebashkiakë.

Mediat raportuan në fundjavë se deputeti Armando Prenga ka përdorur rreth 10 emra të ndryshëm në Itali. Mbi këto fakte, Prokuroria kërkon heqjen e madatit për këtë deputet. Por në një dalje publike, KQZ nëpërmjet zëdhënëses, deklaroi se, ky deputet së bashku me disa të tjerë, nuk rrezikojnë heqjen e mandatit dhe procedurat e ndjekura janë konform ligjit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>