Prokuroria e Përgjithshme ka nisur hetimet për kryebashkiakun e Matit Agron Malaj, akuzuar nga opozita se ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar në një funksion publik.
Një ditë më parë, PD i kërkoi prokurorisë verifikimin e të shkuarës së kryebashkiakut të Matit Agron Malaj, pasi ka dyshime se ai është i dënuar me vendim të formës së prerë.
PD bëri publik edhe vendimin e gjykatës sipas së cilit Malaj është dënuar në vitin 1999 me vendim gjyqësor të formës së prerë për armëmbajtje pa leje dhe për këtë, i ndalohet kandidimi përjetë për një funksion publik.
Agron Malaj është kryebashkiaku i pestë socialist, i dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, që Partia Demokratike ka denoncuar për shkelje të ligjit të dekiminalizimit.
Kryebashkiakët e tjerë janë Valdrin Pjetri i Shkodrës, Agim Kajmaku i Vorës, Mark Babani i Vaut të Dejës dhe Qerim Ismailaj i Mallakastrës.
Prokuroria aktualisht ka përfunduar hetimet për Kajmakun dhe ka dërguar dosjen në prokurori, si dhe ka nisur hetimet për Qerim Ismailajn dhe sot i ka marrë atij shenjat e gishtave për të verifikuar figurën e tij, pas akuzave nga opozita se ai ka qenë i dënuar në Greqi.
Lidhur me hetimet për Mark Babanin, më 10 janar, PD akuzoi Ministrinë e Drejtësisë se po bllokon hetimet pasi prej një muaji e gjysëm ajo ka bllokuar dërgimin e pyetjeve nga prokuroria shqiptare drejt insitucioneve italiane.
Ndërsa për Valdrin Pjetrin, pas 5 muajsh hetime, Prokuroria e Përgjithshme konfirmoi akuzat e PD-së se në vitin 2003 zoti Pjetri kishte fshehur faktin se ishte arrestuar, dënuar dhe dëbuar nga Italia për drogë. Pas këtyre verifikimeve, Prokuroria e Tiranës nisi procedimin penal ndaj Valdrin Pjetrit.
Zoti Pjetri akuzohet për falsifikim të formularit të dekriminalizimit dhe rrezikon nga 6 muaj deri në 4 vite burg dhe mos-ushtrim për një kohë të caktuar të funksioneve publike.
Deri më tani PD ka denoncuar 5 prej 61 kryebashkiakëve socialistë dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, si shkelës të ligjit të dekriminalizimit. Ajo ka lajmëruar se po punon dhe për zbardhjen e të tjerë rasteve mes kryebashkiakëve.