Partia Demokratike denoncoi të shtunën se PS ka tentuar sërish të manipulojë votat.
Përmes një deklaratë për shtyp nga kandidati për deputet në Korçë Edmond Spaho tha se ka kapur simpatizantë të PS duke tentuar të vjedhin votat.
PD ndaloi tre makina, në të cilat sipas Spahos u gjendjen materiale zgjedhore. Spaho tha se në terren ishte dhe kreu i PD në Podgorie i cili është dhe zyrtar i tatimeve në Korçë Izmi Çoçka.
Pasi kanë kapur makinat, PD ka njoftuar policinë.
“Pasi u njoftua Policia, mbërritën forcat e rendit të cilët ushtruan presion për lirimin e rrugës dhe të makinës së bllokuar. Me insistimin e përfaqësuesve të PD u kërkua që makina të kontrollohej dhe kjo u arrit në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme”, tha në deklaratë Spaho.
Ai tha se nga një kontroll i përciptë në vend në makinën e administratorit u gjenden:
Lista e zgjedhësve të fshatit Podgorie. Listë e patronazhit të fshatit Podgorie me patronazhist administratorin Çezar Bezati, Liste e shkruar me dorë me emra banoresh të këtij fshati të cilën policia refuzoi ta bëjë publike.
Sipas Spahos Policia pas shoqërimit të makinës së administratorit në Drejtorinë e Policisë Korçë dhe pyetjes së administratorit dhe dëshmitarëve okulare , vendosi të lirojë administratorin Çezar Bezati dhe shoqëruesin e tij Gerti Tabaku.
“Si dhe të ndaloje për bllokim rruge tre simpatizantë të PD, Ahmet Goroveci, Endrison Dushku dhe Fatjon Dushku. Ju bëj thirrje të gjithë anëtareve dhe simpatizantëve të PD që të vazhdojnë të qëndrojnë dhe mbrojnë me çdo mjet vullnetin e qytetarëve për ndryshim nga shitblerja e votës”, tha Spaho.