Një skandal në spitalin COVID2 është raportuar nga emisioni investigativ “STOP”, ku një sanitare dyshohet t’i ketë marrë para familjarëve të një pacienteje duke u hequr si infermiere. Pas publikimit të lajmit ministria ka reaguar duke dënuar aktin dhe kërkon shkarkimin e sanitares.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dënon me forcë veprimin e paligjshëm dhe korruptiv, të sanitares me inicialet T.A., tē spitalit “Shefqet Ndroqi”, i bërë publik sot në emisionin investigativ “STOP”.
Ministria e Shëndetësisë i ka kërkuar drejtorisë së spitalit “Shefqet Ndroqi” shkarkimin e menjëhershëm nga detyra të sanitares me inicialet T.A.”
Vajza e një zonje 55-vjeçare, e cila humbi betejën me Covid pas 28 ditësh, denoncoi faktin se një sanitare e këtij spitali, duke u hequr si infermiere, i ka marrë rreth 8 milionë lekë të vjetra për shërbimet ndaj nënës së saj.
Ministria thekson në reagimin e saj se këto janë raste të izoluara të cilat nuk duhet të njollosin punën e mjekëve.