Dënoni prindërit e jo ministren – 5 shqetësime rreth "revoltimit" popullor

Nga Ilmi Rehova
Dënoni prindërit e jo ministren – 5 shqetësime rreth "revoltimit" popullor

Skandali i rrahjes së një fëmijë të mitur nga administratorja e kopshtit që kujdesej për të duket se ka trazuar shumëkënd, si pak gjëra të tjera.

Mediat tradicionale e sociale janë përmbytur me reagime të panumërta së pari kundër dhunueses së fëmijës. Reagimet ndaj saj janë më së shumti emocionale ndonjëherë deri në ekstrem, si thirrje për dhunë e dënime të skajshme ndaj saj. Nuk kanë munguar reagimet që kanë dashur ta tregojnë atë si një person me mungesë të kahershme vlerash dhe cilësish morale.

Një pjesë tjetër e reagimeve janë drejtuar kundër Ministrisë së Arsimit dhe Ministres Nikolla, të cilët, fillimisht, u akuzuan përgjegjës për mungesën e kontrollit ndaj kopshtit dhe, mbasi u mor vesh se kopshti ka qenë i palicensuar nga Ministria, për lejimin e aktivitetit nga një institucion i palicensuar.

Duke respektuar mendimet e ndjenjat e çdokujt, na duket se një pjesë e zemërimit dhe revoltimit të tyre është e skajshme, e keqorientuar pasi bazohet në mungesë të reflektimit dhe analizimit të ngjarjes dhe shkaqeve të saj.

Në fakt, në një situatë si kjo më shumë se revolta ndihmon reflektimi. Pikërisht në shërbim të reflektimit, ne po japim disa mendime e komente mbi ngjarjen dhe shkaqet e saj.

1. Përgjegjësit kryesorë në këtë histori janë prindërit e fëmijës. Dhuna e administratores është veprim kriminal dhe do të marrë dënimin e duhur. Por krimi i saj, nuk mund të fshehë një fakt të rëndësishëm: prindët e fëmijës janë treguar të papërgjegjshme ndaj fëmijës së tyre duke zgjedhur t’ia besojnë kujdesjen dhe edukimin e tij një “institucioni” i cili ka vetëm mobilje dhe asgjë tjetër. Tashmë është e qartë se:

  • Kopshti është i palicensuar;
  • Kopshti kishte vetëm një vit që ishte hapur, pra nuk kishte asnjë përvojë të mëparshme dhe prindërit nuk kanë patur asnjë dëshmi për cilësinë e tij;
  • Personi kryesor përgjegjës për mbarëvajtjen e kopështit, e cila me gjasa i ka bindur prindët, nuk ka patur asnjë përvojë në këtë profesion apo sektor.

Në këto kushte, edhe sikur fëmija të mos ishte dhunuar, veprimi i tyre është njësoj i papërgjegjshëm. Për të ilustruar sa shumë e kanë nënvlerësuar mirëqenien dhe sigurinë e fëmijës së tyre prindët e tij, mjafton një paralelizëm metaforik:

Imagjinoni sikur doni të udhëtoni nga Tirana në Korçë me taksi. Imagjinoni se mes shoferëve të mundshëm është njeri i cili është nuk është i licensuar, ka vetëm një vit që i jep taksisë, madje nuk ka asnjë njeri që të ketë dëshmuar ndonjëherë se sa i aftë është shoferi. A do të udhëtonit me të? Me shumë gjasa jo.

2. Akuzat ndaj Ministrisë së Arsimit janë të ekzagjeruara. Natyrisht, ministrisë mund dhe duhet t’i kërkohet llogari për situatën, por ajo nuk mund të mbahet përgjegjëse në atë shkallë që po e mbajnë shumë syresh.

Mbikqyrja dhe kontrolli nga shteti nuk funksionon dhe nuk mund të funksionojë ashtu sikurse e nënkuptojnë shumë qytetarë. Në çdo vend të zhvilluar demokratik, ligji funksionon dhe zbatohet jo sepse institucionet ligjvënëse arrijnë të monitorojnë e kontrollojnë në mënyrë të vazhdueshme çdo subjekt që kanë nën juridiksion pa asnjë përjashtim—kjo gjë është e pamundur dhe as mund të mendohet të synohet. Në to ligji zbatohet sepse, mbi të gjitha dhe para së gjithash, për zbatimin e tij janë të interesuar dhe kontibuojnë qytetarët—të cilët reagojnë kur shkelet ligji dhe, nëse shkeljet janë serioze, sinjalizojnë apo informojnë institucionet ligjzbatuese.

Madje reagimi qytetar nuk ndodh vetëm në rastet serioze, të tilla si dhuna, por edhe në rastet e vogla kur dikush hedh plehrat atje ku nuk duhet apo bën zhurmë më shumë se sa lejohet.

Nëse qytetarët nuk do të bënin asnjë përpjekje vetë për të kërkuar llogari ndaj çdokujt që shkel rregullat e normat dhe për të informuar institucionet përkatëse kur shkelen ligjet, nuk do të kishte në asnjë vend respektim të ligjit dhe të të drejtave e mirëqenies së njerëzve.

3. Dhuna si mjet “bindjeje” apo displinimi duket se është e ngulitur gjerësisht në kulturën tonë. Metoda jonë e edukimit dhe shkollimit të fëmijëve është e bazuar, rëndom, mbi disiplinimin e dhunshëm, fizik apo psikologjik të fëmijëve. Në familje, në shkollë, në mjedise të tjera fëmijëve ju kërkojmë të bëjnë gjënë e duhur, kryesisht përmes kërcënimit, trysnisë dhe forcës. Prej fëmijëve shpesh kërkojmë bindje pa u lodhur për ta siguruar atë përmes arsyetimit me ta apo mënyrave të tjera të buta, por e kërkojmë shkurt nën kërcënimin e “drurit”. Shumë nga ne besojnë vërtet se “druri ka dalë nga xheneti.”

Nga ana tjetër, në kulturën tonë nuk kemi shumë qendrime të moderuara, përgjithësisht edhe në rastin e trajtimit të fëmijëve ofrojmë një përzierje ekstremesh, dashurie dhe dhune. Aty i qortojmë apo kritikojmë dhunshëm fëmijët dhe po aty fillojmë e i puthim e përqafojmë plot pasion, të bindur se puthja kompenson rrahjen, dashuria shëron menjëherë traumën. Është domethënëse se ndër pak komente që dhunuesja ka bëri deri tani është ai se nuk mund ta gjykonim vetëm nga një rast i shkëputur, pasi ajo e përqafonte dhe përkëdhelte shpesh fëmijën që u kap duke e dhunuar në kamera. Si shumë të tjerë edhe ajo mendon se “kush të rreh, të do.”

4. Dhuna ndaj fëmijëve nuk është e shkëputur nga dhuna e përgjithshme. Është e pamundur të ketë një shoqëri ku lulëzon dhuna dhe fëmijët të jenë të mbrojtur. Përkundrazi, fëmijët dhe gratë janë viktimat e para dhe më të mëdha të çdo situate të përgjithshme dhune.

Në një shoqëri ku lulëzon dhe tolerohet krimi, do të lulëzojë edhe dhuna ndaj fëmijëve. Në një shoqëri kur të gjithë janë agresivë me të gjithë; ku një debat i thjeshtë mund të çojë shpesh në pasoja fatale, ku “për motive të dobëta” është shkaku kryesor i krimeve ndaj njeriut; ku ai që mendon ndryshe konsiderohet armik dhe duhet luftuar; ku njerëzit vriten në mes të bulevardit dhe askush nuk mban përgjegjësi, në një shoqëri të tillë do të lulëzojë edhe dhuna ndaj fëmijëve.

Dhuna ndaj fëmijëve do të kontrollohet kur ta largojmë dhunën në përgjithësi nga shoqëria.

5. Së fundimi, reagimet e shumta janë dëshmi indirekte e hipokrizisë dhe nënshtrimit që kemi të mbrujtur në shpirtrat tanë—ato dëshmojnë se ne e ngremë zërin kryesisht kundër atyre që na duken të parëndësishëm apo të dobët.

Dhuna ndaj fëmijës është e patolerushme dhe e dënueshme. Por dhuna në Shqipëri ushtrohet përditë nga elitat tona politike, mediatike, të biznesit dhe askush nuk reagon ndaj dhunës së tyre.

Askush nuk e ngre zërin kur fëmijët romë nxirren zvarrë nga shtëpitë e tyre nga pushteti; kur policët dhunojnë protestuesit paqësorë; kur njerëzit shpronësohen me forcë, pa shpërblimin e duhur; kur Kryeministri fyen femrat direkt në televizor; kur deputetët sillen si rrugaçë, deri edhe rrihen në Kuvend; kur politikani zbulohet se ka qenë kriminel e përdhunues; kur Kryeministri na imponon shijet e tij kudo dhe për çdo gjë duke na konsideruar si të vdekur që nuk ekzistojmë.

Në një koencidencë ironike, ditën që u bë publik skandali i dhunës ndaj fëmijës në kopësht, gjykata liroi një pushtetar të rëndësishëm i cili ishte përgjegjës për neglizhimin e mirëmbajtjes së rrugës në Golem ku vdiqën dy fëmijë në një aksident, ndër të tjera për shkak të favorizimit të një klienti në kurriz të sigurisë së qytetarëve. Kundër këtij vendimi nuk u ndje njeri, ai ishte lajm dytësor në emisionet e lajmeve dhe nuk tërhoqi vëmendjen e elitës sonë në Facebook.

Nëse duam të mos na i rrahi askush fëmjët duhet të fillojmë të ngremë zërin ndaj të fortëve të politikës dhe të elitës sonë. Edhe pse ata mund të mos na i rrahin vetë me shpulla fëmijët si ajo administratorja e kopshtit, ata frymëzojnë të tjerët të na i rrahin dhe vetë bëjnë mjaftueshëm për t’i lënë fëmijët tanë pa një të ardhme të denjë në vendin e tyre.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>