Deoligarkizimi i Shqipërisë nis nga vetëdeoligarkizimi i opozitës

Nga Vehap Kola
Deoligarkizimi i Shqipërisë nis nga vetëdeoligarkizimi i opozitës

Opozita ka premtuar luftë kundër oligarkisë, por duket se ajo është krejt e paditur në artin e luftës kundër oligarkisë. Përtej hakërrimeve dogmatike, diskutimi dhe armët e saj kundër oligarkisë dëshmojnë injorancë ndaj dijes dhe përvojës në mijëra vjet përpjekje për ndalimin dhe rrëzimin e oligarkisë—një nga sfidat e shpeshta të shoqërive njerëzore nga lashtësia deri sot.

Si një grimcë të kësaj dijeje, në këtë shkrim dua të ndaj gjetjet e Methju Simontonit, i cili na udhëheq në një udhëtim në Greqinë antike, në kohën kur oligarkia ballafaqohej me një nga kërcënimet më të mëdha të saj: përçarjen e mundshme mes oligarkëve.

Nëse njëri prej oligarkëve që sundon shoqërinë tradhëton “klubin” dhe fiton mbështetjen e popullit, ai mund ta rrëzojë oligarkinë. Për të shmangur këtë, klubi i oligarkëve ka ngritur një sërë institucionesh dhe praktikash të detyrueshme për të siguruar unitetin mes tyre. Ato kufizojnë sjelljen ekstravagante në publik dhe synojnë konsensusin dhe votën e fshehtë si rrugë për të garantuar pranimin nga të gjitha palët të vendimeve të arritura.

Por vetëm uniteti i oligarkëve nuk është i mjaftueshëm për të garantuar pushtetin e tyre. Ata duhet të përçajnë dhe paaftësojnë popullsinë, që ajo të mos jetë në gjendje të kërcënojë pushtetin e tyre. Kjo gjë nuk është shumë e vështirë, sepse nuk mungojnë asnjëherë njerëzit që spiunojnë përkundrejt shpërblimit, apo që joshen nga postet në administratën qeverisëse dhe kështu popullsia përçahet.

Nga ana tjetër, oligarkët nuk duan popullsinë e dendur të qyteteve—fshatrat e shpërndarë nuk mund të organizohen për të rrëzuar qeverinë me të njëjtin efikasitet të qyteteve të mbipopulluara. Ndaj oligarkët përdorin forma të ndryshme për të përzënë njerëzit prej qyteteve.

Së fundi, oligarkët orvaten të fshijnë kujtesën kolektive për demokracinë, kujtesë që trupëzohet në monumentet simbolike të saj. Gjestet filantropike, dhe jo shërbimet e punët publike, janë mjete më të sigurta për mbajtjen e pushtetit. Ndaj oligarkët financojnë ngritjen e ndonjë objekti të ri simbolik apo zbukurimin e hapësirave publike. Kështu, publiku i vlerëson shpenzimet nga ana e elitës në projekte ku klasa e lartë përjetëson emrat personalë të saj. Fundja, përse duhet protestuar kundër bujarëve të tillë?

Me të gjitha këto mënyra dhe veprime oligarkët e antikitetit legjitimonin regjimin e tyre dhe mbanin të pakërcënuar pushtetin.

Le t’i kthehemi tani oligarkisë shqiptare mbi dymijë vjet më pas në Shekullin XXI. Për të kuptuar oligarkinë shqiptare na ndihmon pjesërisht udhëtimi ynë imagjinar në oligarkinë antike greke. Na ndihmon, sepse përshkruan me përpikmëri dimensionin politik të sistemit. Por pjesërisht, sepse dështon të shqyrtojë rolin e dimensionit ekonomik të oligarkisë.

Në thelb, oligarkia nënkupton përqendrimin e pushtetit ekonomik në pak duar dhe shfrytëzimin e tij për qëllime politike. Këtë dukuri e ka përshkruar në mënyrë shterruese vetë Edi Rama kur, në opozitë, akuzonte Sali Berishën që merrte pushtetin për t’u pasuruar dhe me pasurinë e fituar blinte zgjedhjet.

Si të ishte një profeci vetëpërmbushëse, Rama u shndërrua në shembullin më të plotë të mekanizmit oligarkik, nën drejtimin e gjithëpushtetshëm të të cilit oligarkia e formuar që më parë arriti trajtën më të sofistikuar.

Moskonsiderimi i anës ekonomike në luftën ndaj oligarkisë e bën të pamundur rrëzimin e saj. Strategjia e opozitës në Shqipëri për të rrëzuar oligarkinë duke ndryshuar sistemin (nënkupto: vetëm politik!) është shembulli më i qartë i këtij dështimi. Ndryshimi i sistemit zgjedhor, i sistemit të drejtësisë, apo reformimi i sistemit të prokurimit publik nuk është efektiv, pasi oligarkia e pasur është në gjendje të shndërrojë në hi gjithë kaskadat burokratike e ligjore.

Oligarkët e fitojnë paprekshmërinë e tyre përballë ligjit përmes financimit të fushatave politike, partiake dhe lobingut. Në këtë mënyrë ata përcaktojnë politikat fiskale dhe ekonomike dhe projektet prioritare të infrastrukturës të favorshme për ta. E gjithë kjo arrihet në mënyrë të ligjshme, por duke kontrolluar politikëbërjen dhe ligjbërjen.

Pasuria e zotëruar nga oligarkia është në gjendje të mobilizojë ligjvënës dhe mbështetje publike përmes financimit direkt ose ndikimit përmes medias dhe shoqërisë civile.

Po si mund të fitohet beteja e opozitës duke goditur pushtetin ekonomik të oligarkisë?

Nëse oligarkët kontrollojnë pushtetin, nuk mund të besohet se ata do të lejojnë ndjekjen e politikave që do të zvogëlonin pasurinë e tyre për ta bërë shoqërinë më të barabartë. Thembra e Akilit është financimi i partive politike.

Një parti politike që merr financime nga oligarkët është emëruar tashmë si shërbëtore e babëzisë së tyre kur ajo të marrë pushtetin. Nëse mbetet në opozitë, ajo do ta shpaguajë përkrahjen e tyre bujare me heshtje përballë zullumit të sistemit oligarkik.

Nëse PD, si partia kryesore e opozitës, është e sinqertë në luftën e saj ndaj oligarkisë, le ta fillojë deoligarkizimin me një politikë krejt të re financimi të fushatave të saj. Një politikë financimi e pandikuar nga oligarkia do të parashikonte refuzimin e çdo financimi me burim oligarkët. Financimi nga donacionet e qytetarëve dhe sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme është deklarata e sinqeritetit të luftës së opozitës kundër oligarkisë.

Po ashtu duhen shmangur politikanët kryesorë të opozitës, karrierat personale të të cilëve financohen apo sponsorizohen nga oligarkët. Opozita i njeh shumë mirë politikanët e saj që kanë lidhje me sistemin oligarkik të padrejtësisë ekonomike. Emrat e tyre i dinë të gjithë. Njësoj siç pastroi radhët e saj nga politikanët e lidhur me krimin, PD mund të vetëpastrohet edhe nga përfaqësuesit e oligarkëve në radhët e saj.

Deoligarkizimi i shoqërisë nis me deoligarkizimin e financimit dhe katarsisit nga politikanët oligarkofilë në radhët e PD-së. Efekti i parë politik i këtij procesi është besimi i publikut në braktisjen e sistemit nga opozita. Efekti i dytë i drejtpërdrejtë është bashkimi i qytetarëve rreth një organizimi politik që prish kurthin përçarës të plutokracisë. Efekti i tretë është prishja e solidaritetit të klubit oligarkik. Efekti i katërt është ndalimi i migrimit të shqiptarëve, që është një nga bekimet kryesore të oligarkëve të sotëm, që si dikur në lashtësi ul kundërshtinë dhe rreziqet ndaj tyre.

Disa oligarkë do të kërkojnë varka shpëtimi për t’u larguar nga anija që do të mbytet në detin e trazuar social. Këtu shfaqet një rrezik thelbësor për demokracinë: ndërsa solidariteti dhe praktikat e oligarkëve nisin të shthuren, ekziston një mundësi që një pjesë e tyre të kooptohen nga opozita e paduruar për të fituar shpejt betejën e saj. Prandaj lufta me oligarkinë as nuk duhet përfytyruar si një betejë e shpejtë dhe pa humbje, as nuk duhet lejuar të mbarojë shpejt.

Është detyrë e opozitës së deoligarkizuar që të mos ushqejë publikun me idenë e rreme të një beteje të lehtë dhe të shpejtë me oligarkinë. Sistemi zullumqar do të hakmerret ndaj zërave kundërshtues. Format e hakmarrjes do të variojnë nga largimet nga puna, deri tek metodat mafioze të mbylljes së gojës apo zhdukjes së veprimtarëve të deoligarkizimit. Qytetarët duhen ndihmuar ta kuptojnë këtë dhe të përfshihen në mënyrë të vetëdijshme në këtë përpjekje.

Megjithatë, ende mbetet e paqartë nëse opozita beson se duhet të rrëzohet vetëm qeveria apo edhe oligarkia.

Nga Vehap Kola

Ky artikull është pronë intelektuale e Exit.al. Ndalohet kopjimi dhe ribotimi i tij pa leje.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>